Një raport i “Nismës Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkufitar” (Global Initiative against Transnational Organized Crime), nënvizon mes të tjerash se 60 për qind e kompanive të ndërtimit në morën leje ndërtimi në Tiranë në 2017-2019 nuk e justifikojnë burimin financiar. “Në rreth tre vjet, e pastruan të paktën 1.6 mld euro në sektorin e ndërtimit”, theksohet në raportin që mban titullin “Flukset financiare të paligjshme në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut”, një publikim i financuar nga projekti gjerman GIZ dhe Ministria e Jashtme Norvegjeze dhe që ka për autorë Tuesday Reitano dhe Kristina Amerhaiser.

“Nga 141 kompani që kanë marrë leje ndërtimi për ndërtesa më të larta sesa 6 kate midis 2017 dhe 2019, 59% e tyre nuk kishin kapacitetet financiare për t’i përfunduar ato. Sipas bilanceve të tyre, kompanitë kishin të ardhura minimale dhe nuk kishin as asete dhe hua dhe as kompani të lidhura, që do t’u mundësonin të bënin një investim të tillë”, thuhet në raportin që rreket të vlerësojë paranë ilegale që ka hyrë në ndërtim këto tre vite.

“Kreditë hipotekore mund të përdoren gjithashtu për të vlerësuar shkallën e pastrimit të parave të sektorit të pasurive të patundshme. Në vitin 2019, në Shqipëri janë dhënë rreth 200 milionë euro kredi hipotekore. Bankat zakonisht financojnë 50-70% të vlerës së apartamentit, ndërsa pjesa tjetër financohet përmes kursimeve personale. Kjo nënkupton që apartamente me vlerë 300-400 milionë euro janë financuar nga kreditë hipotekore në vitin 2019. Megjithatë, statistikat tregojnë se janë ndërtuar prona të paluajtshme në vlerë totale 953 milionë euro, me diferencën që supozohet se është paguar nga blerësi ose përmes kredive private. Një ekspert i pastrimit të parave në Shqipëri vlerësoi se afro 500 milionë euro u pastruan nëpërmjet sektorit të pasurive të patundshme në vitin 2019 në këtë mënyrë. Duke përdorur të njëjtën llogaritje për vitin 2017 dhe 2018 rezulton përkatësisht se u pastruan 320 milionë dhe 570 milionë euro. Kjo e çon vlerësimin total të pastrimit të parave në 2017-2019 në 1.6 miliardë euro”, thuhet në raport.

Për të vënë në jetë skemat e tyre të pastrimit, theksohet në raport, grupet kriminale shënjestrojnë kompanitë e ndërtimit dhe biznesmenët në situata të paqëndrueshme financiarisht, që kanë borxhe ose hua për të shlyer. Atyre u jepen shuma të mëdha parash për të investuar në projekte ndërtimi dhe blerjen e apartamenteve, me një marrëveshje joformale (zakonisht të siguruara nga kërcënimet e dhunës) që apartamentet t’ia kthejnë grupit kriminal pas përfundimit të projektit. Një tjetër mënyrë është që paratë e paligjshme përdoren për të blerë aksione në kompaninë e ndërtimit në këmbim të apartamenteve të dhëna si pagesa pas përfundimit. Mosdeklarimi i vlerës së apartamentit ose projektit lejon që të pastrohen fonde shtesë.

“Shitjet e ndërtimeve të reja në përgjithësi funksionojnë përmes parapagimeve, duke u shitur përpara se të fillojë ndërtimi. Industria është përgjithësisht e bazuar në cash, me agjentët e pasurive të patundshme në Shqipëri, që raportojnë se 40-50% e të gjitha shitjeve bëhen ekskluzivisht në cash. Në rastet kur shitjet vijnë nga marrëveshjet e financimit, këto rrallë vijnë nga banka ose institucione të tjera financiare, por përkundrazi janë kredi private nga ndërmarrje të tjera tregtare. Sistemi i shkëmbimeve (barter) përdoret gjithashtu për ndërtime të reja, me materialet e ndërtimit që shkëmbehen me apartamente të përfunduara. Në këtë mënyrë, shumica e transaksioneve të pasurive të patundshme shmangin kontrollin e sistemit formal financiar që mund të ngrinte shqetësimin për transaksione të dyshimta”, citon raporti.

Përdorimi i gjerë i parave të paligjshme në industrinë e ndërtimit – thuhet më tej në raport – ka ndikuar në çmimet e pasurive të paluajtshme. “Në fund të vitit 2019, çmimi mesatar i apartamenteve të banimit në Tiranë arriti pak më shumë se 1000 € për metër katror. Kjo paraqet një normë prej 16% të rritjes nga viti 2016, kur filloi bumi i paligjshëm i ndërtimit. Niveli i çmimeve është më i lartë sesa mund të besohet, në një vend ku të ardhurat mesatare mujore janë 420 euro”, thuhet mes të tjerash në raport.