Partia Demokratike akuzoi sërish të premten qeverinë për lidhje me botën e krimit në vendimin që kjo e fundit mori për të lejuar aktivitetin e kazinove në qendër të Tiranës.

Në një postim në Facebook, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka lidhje “me botën e krimit që e menaxhon kumarin” pasi ai nuk ka dhënë shpjegime për “shkeljen e premtimit që ai bëri” dy vite më parë.

Postimin, Bardhi e shoqëroi me një videomontazh të realizuar nga opozita me deklaratat e shkuara të kryeministrit, i cili zotohej se në gjithë territorin e Shqipërisë nuk do të lejoheshin më aktivitetet e kazinove elektronike.

Në mesjavë qeveria vendosi që të përcaktojë pozicionimin e kazinove brenda Tiranës në:

  1. “Rrugën e Barrikadave”;
  2. “Rrugën urani Pano”;
  3. “Rrugën Dedë Gjo Luli”;
  4. “Rrugën Ibrahim Rugova”;
  5. “Rrugën George W. Bush”;
  6. “Bulevardin Zhan D’ark”;

Vendimi shoqërohej me një tjetër që përcaktonte kriteret për të lejuar ushtrimin e aktivitetit të kazinove, ku kryesorja është se një aktivitet i tillë lejohet nëse do të ketë një kapital prej rreth 12 milionë dollarësh.