Zyrtarizohet marrëveshja përfundimtare për koalicionin opozitar. Në momentet e fundit është ndryshuar emri i koalicionit nga “Shqipëria fiton”në “Partia Demokratike-Aleanca për ndryshim”. Në këtë mënyrë PD ka ruajtur emrin e vet dhe siglën e vet duke lehtësuar identifikimin nga elektorati.

Marrëveshja është firmosur nga Fatmir Mediu, Vangjel Dule, Shpëtim Idrizi, Bamir Topi, Nard Ndoka dhe të tjerë opozitarë.

Emri i ri i koalicionit është gati identik me atë të vitit 2009, ku garoi nën siglën e koalicionit “Aleanca e Ndryshimit”.

Basha ia ka dalë që të bëjë pjesë të koalicionit FRD-në e Bamir Topit, më vete në këto zgjedhje do të garojnë Bindja Demokratike e Astrit Patozit dhe Lëvizja për Ndryshim e Jozefina Topallit.

Aleatët e PD do të kenë kandidatë të përfshirë në listën e përbashkët. Deri tani është vendosur që kreu i PAA, Agron Duka do të jetë i dyti në Durrës, raporton gazetari Renaldo Salianji.

Ndërsa kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi do të jetë në pjesën e emrave të sigurt në listën e Qarkut të Tiranës. Një vend të garantuar do të ketë edhe PDK e Nard Ndokës.

Ndërkohë PR e Fatmir Mediut ende nuk dihet se sa kandidatë do të jetë në pjesën e sigurt, gjithashtu as për PDIU nuk ka ndonjë vendim.

Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi thotë se partia e tij ka 50 mijë vota dhe ato duhet të përkthehen në mandate.

Afati i fundit për regjistrimin e koalicioneve në zgjedhjet e 25 prillit është mesnata e së mërkurës dhe ai autorizuar për të dorëzuar listën pranë KQZ për PD është Ivi Kaso.

Koalicioni “Aleanca për Ndryshim”:

PARTIA DEMOKRATIKE – Lulzim BASHA
PARTIA REPUBLIKANE – Fatmir MEDIU
PARTIA PËR DREJTËSI INTEGRIM DHE UNITET – Shpëtim IDRIZI
PARTIA LËVIZJA PËR ZHVILLIM KOMBËTAR – Dashamir SHEHI
PARTIA BASHKIMI PËR TË DREJTAT E NJERIUT – Vangjel DULE
PARTIA AGRARE AMBIENTALISTE – Agron DUKA
PARTIA DEMOKRISTIANE – Nard Ndoka
PARTIA FRYMA E RE DEMOKRATIKE – Bamir TOPI
PARTIA BASHKIMI LIBERAL DEMOKRAT – Arian STAROVA
PARTIA BALLI KOMBËTAR DEMOKRAT – Artur ROSHI
PARTIA BASHKIMI DEMOKRAT – Ylber VALTERI
PARTIA MENDIMI DJATHTË LIBERAL – Mustafa LICI
PARTIA LËVIZJA E LEGALITETIT – Shpëtim Axhami
PARTIA KRISTIAN DEMOKRATE – Dhimitër Muslia