Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka thërritur në një takim në seli grupin parlamentar.

Sipas burimeve nga brenda PD, mësohet se në këtë mbledhje do të diskutohet për ngritjen e 3 grupeve të punës për tre reformat kyçe, atë territoriale, kushtetuese dhe zgjedhore, komision hetimor për çështjen Becchetti dhe inceneratorët që Basha e cilëson si një aferë mafioze.

Basha ka kërkuar ngritjen e tre komisioneve hetimore, njëri për të shqyrtuar denoncimet për atë që ajo e quan masakër zgjedhore.

“1- Komision hetimor për Masakrën Zgjedhore, që u konfirmua edhe nga raporti i OSBE/ODIHR . Parësore për këtë komision hetimor do të jetë vjedhja e të dhënave private dhe personale të shqiptarëve, keqpërdorimi i aseteve dhe funksioneve publike, abuzimi me fondet e rindërtimit për qëllime elektorale, abuzimi me legalizimet në këmbim të votës. Punësimet e paligjshme në administratën publike dhe blerjen e votës.

2- Komision hetimor për çështjen Becchetti. Lufta personale e Edi Ramës me sipërmarrësin italian do t’u kushtojë qytetarëve më shumë se 120 milionë euro.

3-Komision hetimor për inceneratorët, një aferë mafioze, kriminale që përfshin zyrtarët më të lartë të shtetit shqiptar. Kallëzimet tona penale vazhdojnë të zënë pluhur nëpër prokurori”, tha Basha në mbledhjen e grupit.