Partia Demokratike, me anë të deputetes  së zgjedhur Albana Vokshi, i ka shprehur faktorit ndërkombëtar shqetësimin e saj për një sërë problematikash që sipas tyre “po rrezikojnë seriozisht lirinë e medias në Shqipëri”.

Vokshi i është drejtuar me një letër zyrtare trupit diplomatik në Shqipëri, Delegacionit të BE,  Ambasadës së SHBA, prezencës së OSBE, Këshillit të Evropës, Komisioneres për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Europës Mijatovic, Komisionerëve Maryia Gabriel dhe Dubravka Suica, Presidentes së Forumit te Grave të PPE Doris Pack si dhe të gjitha organizatave ndërkombëtare që trajtojnë çështje të medias si RSF, TI, Freedom House etj.

Në letër adresohen një sërë problematikash që po rrezikojnë seriozisht lirinë e medias në Shqipëri, duke filluar nga ndalimi i gazetarëve të akredituar në Kuvend për të marrë pjesë në Komisionet Parlamentare dhe atë që PD gjykon si censurimi i tyre, rreziku nga miratimi i paketës “anti-shpifje” si dhe kapja e Këshillit drejtues të RTSH dhe Bordit të AMA-s.

PD kërkon “ mbështetjen urgjente për të ushtruar çdo influencë mbi Qeverinë Shqiptare për të ndalur çdo veprim që cenon lirinë e fjalës, lirinë e medias dhe të drejtën kushtetuese për informim”.