Sot është dita e fundit e fushatës elektorale për zgjedhjet e e përgjithshme parlamentare që do të mbahen pas dy ditësh. Partia Demokratike zgjodhi që këtë fushatë ta mbyllë në kryeqytet.

Në sheshin “Nënë Tereza” ishin mbledhur me dhjetëra simpatizantë të selisë blu. I vetmi që mbajti një fjalim ishte kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Ai u shpreh se 25 Prilli është dita që do të sjellë ndryshimin në vend. Basha tha se ekipi i tij për zgjedhjet është i mrekullueshëm dhe do t’u shërbejë qytetarëve që të bëjnë realitet ëndrrat e tyre. Ai deklaroi se qeveria e tij do të bëjë të mundur integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Qeveria e dalë do të jetë qeveria e të gjithë shqiptarëve dhe do të shërbej si kryeministri i gjithë shqiptarëve”, tha Basha.

“Është përgjegjësi për mua dhe ekipin tim të mrekullueshëm. Për t’ju shërbyer dhe për të bërë realitet ëndrrat tuaja, për ta çuar Shqipërinë përpara atje ku e meriton, në gjirin e Europës, aty ku e meriton që të jetë. Ne jemi këtu me një zotim, ndryshim, ndryshim, ndryshim për Shqipërinë.

Një dimër 8-vjeçar ka dhe dy ditë për ta mbyllur dhe unë e di se Tirana, kjo vulë kryeqytetase e ndryshimit do t’i prijë ditën e diel pjesëmarrjes masive që në orët e para të mëngjesit, do t’i prijë me votë fitores më të thellë të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kjo nuk është Tirana e tyre, kjo është Tirana e tiranasve, e kryeqytetasve dhe shqiptarëve. Ky është vendi ynë dhe të dielën me votën tuaj do ta rimerrni Tiranën dhe Shqipërinë në duart tuaja”, tha Basha.

Basha e konsideroi 25 Prillin ditën e çlirimit për Shqipërinë dhe u bëri thirrje punonjësve të administratës, policëve e mjekëve që të votojnë pa frikë ditën e diel. “Largojeni me votë të keqen. Kjo është Shqipëria jonë, e rimarrim me votë për të gjithë shqiptarët”, tha Basha.

Kryedemokrati i bëri thirrje të gjithë socialistëve të ndershëm që t’i bashkohen atij.