Kandidati i PD për Bashkinë e Tiranës, Roland Bejko, në emisionin “Publikisht“ në RTSH, ka komentuar jo vetëm zhvillimet brenda kësaj force politike, raportet me “Rithemelimin“, sfidat në garën për bashkinë më të madhe në vend, si dhe problematikat nga fragmentarizimi i votës brenda opozitës.

Sipas tij, zhvillimet në PD, në partinë më të madhe të opozitës, do të kenë efekt në fragmentarizimin e votave. Nga ana tjetër ai ishte kritik, lidhur me faktin se grupimi i “Rithemelimit“, e kishte më të lehtë të bënte aleancë me Metën sesa me demokratët.

“Flasin për antikomunizëm nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër firmosin për kandidatë komunistë. Demokratët nuk mund të gjejnë strehë te Ilir Meta. PD tashmë është çliruar nga “nongrata“. Kjo është një arritje shumë e madhe“,- tha Bejko.

Analisti, Enton Abilekaj, ka debatuar me Bejkon, lidhur me faktin se cili është niveli i mbështetjes brenda kryesisë së PD-së, ku solli si shembull edhe një reagim të nënkryetares së PD-së, Jorida Tabaku, e cila, sipas tij, është shprehur se është në mbështetje të listës së këshilltarëve, por jo të kandidatëve për kryetar.

Por Bejko e ka hedhur poshtë këtë pretendim duke nënvizuar se ai gëzon mbështetje të plotë nga e gjithë kryesia e PD-së, gjë që është rrezatuar edhe në takimet që ai ka zhvilluar me strukturat e PD-së në Tiranë.

“Si Erion Veliaj, si Belind Këlliçi, dua të them se janë çirakët e këtyre dy ustallarëve dhe këta do të japin llogari te ustallarët në mëngjes. Veliaj ka aplikuar në Tiranë edhe shijet estetike të Edi Ramës. Unë nuk kam mbrapa as oligarkë, as kryetarë autoritarë. Kam demokratët që i rezistuan Sali Berishës, dhe gjithë furisë së tij të dhunës, fizike dhe verbale. Kam edhe ata që kam që duan të shprehen në kutinë e votimit kundër kësaj oligarkie, edhe ekonomike dhe politike që i kanë zënë frymën Tiranës. E thotë edhe Këlliçi këtë, po atij i mungon karta morale për ta thënë këtë gjë sepse përfaqëson “nongratën” dhe përfaqëson Ilir Metën që është një socialist tipik. Ndërsa unë nuk e kam këtë lloj ngarkese.”- u shpreh Bejko.