Pak ditë pas publikimit në mediat italiane të përgjimeve të Antimafias për disa pjesëtare të grupit mafioz “Ndragheta”, ku përmenden edhe emra biznesmenësh apo politikanësh shqiptarë, SPAK deklaron se ende nuk ka një hetim në vendin tonë.

Euronews Albania u interesua pranë Prokurorisë së Posaçme për këtë çështje dhe burimet zyrtare thanë se “hetimi po kryhet në Itali dhe ne do të kontaktojmë me autoritetet në shtetin fqinj për të parë çfarë kanë ata në lidhje me Shqipërinë dhe pastaj do të vendosim”.

Publikimi i këtyre përgjimeve ka shkaktuar reagime të përfaqësuesve të institucioneve dhe politikës në vendin tonë.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi në një postim në rrjetet sociale u shpreh se dy njerëzit më të afërt të kryeministrit Rama, Saimir Tahiri dhe Erjon Veliaj dalin në përgjimet e anti-mafias italiane si të përfshirë në afera kriminale.

Sakaq, ish-deputetja Grida Duma theksoi se përgjimet konfirmojnë se në Tiranë me lejet e ndërtimit, me koncesionet dhe me tenderët publikë pastrohen para për mafian italiane.

“Korrupsioni, babëzia për pasuri, pangopësia e ka shndërruar qeverinë e Edi Ramës dhe njeriun e tij Erion Veliaj, në një vegël absolute të mafias. Përgjimet konfirmojnë se në Tiranë me lejet e ndërtimit, me koncesionet dhe me tenderët publikë pastrohen para për mafian italiane”, u shpreh ajo.

Ndërsa kryedemokrati, Lulzim Basha i bëri thirrje SPAK-ut që të hetojë bashkëpunimin e mafias me kryebashkiakun.

“Nuk ka asnjë arsye në botë pse SPAK-u të mos kërkojë me urgjencë, nga anti-mafia italiane, nga prokurorët anti-mafia, fashikujt e këtij hetimi dhe të nisë urgjentisht hetimet.”, theksoi Basha në një postim në Facebook.

Ndërsa presidenti Ilir Meta u shpreh se problemi i pastrimit të parave është i njohur nga të gjithë dhe i konfirmuar nga shumë institucione ndërkombëtare.

“Problemi i pastrimit të parave është i njohur nga të gjithë dhe i konfirmuar nga shumë institucione ndërkombëtare të cilat bëjnë vlerësimin apo kategorizimin e vendeve në këtë drejtim dhe të gjitha çështjet që i referohen zhvillimit më të fundit në Itali për gjithçka që ka të bëjë me Shqipërinë duhet të ndiqet edhe nga institucionet tona”, shprehet kreu i shtetit.

Por, edhe kryetari  Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, nuk qëndroi duarkryq për këto akuza. Veliaj theksoi do të padisë në gjykatë Grida Dumën për shpifje.

“I bëj thirrje Prokurorisë që të hetojë cilindo që tenton të flasë në emër të Bashkisë së Tiranës apo të çdo institucioni tjetër lidhur me histori të tilla. Ndërkohë, Grida Duma do të duhet ta provojë në gjykatë shpifjen e saj të radhës, njësoj si 7 herët e tjera kur zyrtarët e PD-së janë gjykuar e shpallur si shpifës nga drejtësia”, tha Veliaj.

Grida Duma iu përgjigj në Facebook kryetarit të Bashkisë duke deklaruar se asnjë mjet nuk do ta ndalë atë dhe PD për të luftuar për të vërtetën.

Ndërsa për këtë çështje erdhi një tjetër reagim nga selia blu ditën e sotme.

Belind Këlliçi u shpreh se kjo është arsyeja që tek ne nuk afrohen investitorët e huaj.

Por ende nuk ka një reagim nga kryeministri Edi Rama.

Çfarë thuhet në përgjime?

Sipas dosjes hetimore të siguruar nga Euronews Albania, përgjimet tregojnë se zyrtarë dhe kriminelë italianë komunikojnë mes tyre për investime në Shqipëri, kryesisht në fushën e shëndetësisë dhe ndërtimit.

Gjithashtu në biseda theksohet se sa lehtë mund të merren leje për ndërtimin e gradacielave në Tiranë, përmes njohjeve me biznesmenë pranë kreut të bashkisë së Tiranës, si dhe shpejt mund të përfitohen tenderë në sektorin e shëndetësisë.

Gjatë hetimeve janë ngritur dyshime se mafia italiane “Ndrangheta” ka dërguar biznesmenin Antonio Gallo në Shqipëri që të futet në tenderë e të ngrejë biznese përmes të cilave të pastrohen paratë e tyre.

Duke iu referuar hetimeve të italiane Antonio Gallo njihet si “sekseri’ që ndërmjetësonte lidhjet mes grupit mafioz dhe shqiptarëve.

Në biseda është përmendur edhe presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, por jo me emër.

“Duhet ta dish vetëm ti atë që po bëj, sepse nëse nesër të prezantoj me presidentin e republikës së shqiptarëve, por ta prezantoj ty, nuk po ja prezantoj as Tommaso Brutto dhe as Severio Bruttos. A jam i qartë?”, thuhet në një bisedë të Gallos.

Sakaq përmenden edhe kryministri Rama dhe Erion Veliaj, por edhe këta pa emra.

“Nuk e di por ai është President i SOL në Shqipëri, është pranë Kryeministrit, pranë Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, është një njeri i rëndësishëm”, thuhet në një tjetër bisedë.

Arrestimet:

Më 22 janar Policia Italiane zhvilloi një megaoperacion për këto përgjime, ku u ekzekutuan 50 masa ndalimi për persona si të përfshirë në grupin mafioz italian “Ndrangheta”.

Megaoperacioni është udhëhequr nga  prokurori Nicola Gratteri.

Mbi të ndaluarit rëndojnë akuzat për  korrupsion dhe mashtrim në vlerën e 250 milionë eurove.

Mes personave të përfshirë në hetime janë dy shqiptarë, biznesmeni Henrik Baçi dhe Odeta Hasaj, të dy të lënë përkatësisht në masën “arrest shtëpie” dhe ‘detyrim paraqitjeje’.