Piloti i helikopterit i cili u rrëzua duke vrarë super yllin e basketbollit Kobe Bryant, vajzën e tij 13-vjeçare, Gianna dhe shtatë persona të tjerë, ndoshta ishte çorientuar mes mjegullës. Është kjo deklarata e hetuesve të sigurisë amerikane, një vit pas aksidentit të yllit të NBA-së.

Helikopteri u përplas në një kodër afër Calabasas në Kaliforni në janar të vitit 2020. Sipas hetuesve amerikanë të sigurisë, piloti i helikopterit të Kobe Bryant fluturoi në re vitin e kaluar në shkelje të dukshme të standardeve federale.

Piloti Ara Zobayan, i cili ishte mes viktimave u kishte thënë kontrolluesve të trafikut ajror se helikopteri po ngjitej mbi re, kur në të vërtetë po zbriste.

“Kjo manovër është në përputhje me pilotin që përjeton çorientim hapësinor në kushte të kufizuara të shikimit,” tha Robert Sumëalt, kryetari i Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit të SHBA (NTSB).

NTSB ka qenë duke hetuar rrethanat e rrëzimit dhe sot do të votojë mbi shkakun e mundshëm.

Zobayan ishte një pilot me përvojë, i cili kishte fluturuar shpesh për Bryant.

Çorientimi mund të ndodhë kur pilotët nuk mund të shohin qiellin ose pamjen, duke e bërë më të vështirë vlerësimin e lartësisë dhe përshpejtimit të një avioni.

Sumwalt tha se bordi do të diskutojë gjithashtu “nëse piloti u përball me presion për të përfunduar fluturimin”.

NTSB më parë tha se nuk kishte prova të dështimit mekanik në helikopterin Sikorsky S-76B. Helikopterit nuk iu kërkua “kuti të zezë”, e cila kap të dhëna fluturimi dhe zëra në kabinë.

Në kohën e përplasjes, legjenda e NBA-së Bryant po udhëtonte për në një turne basketbolli për të rinj me vajzën e tij 13-vjeçare, Gianna, dy nga shokët e saj të skuadrës dhe disa miq të tjerë.