Deputeti i Partisë Socialiste, Fidel Ylli, ka folsur së fundi për mediet në lidhje me përplasjen e futbollit me qeverinë. Pas vendimit për bojkot nga ana e Ligës Profesioniste, edhe pse flitet për negociata,palët ende nuk janë takuar dhe në distancë vazhdojnë polemikat.

Ylli ka theksuar mes të tjerash se është në krahun e sportit. Ai u shpreh se gjithçka po e bën presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ndërsa vendosja e Evdin Libohovës në krye të Ligës është për t’i hedhur hi syve FIFA-s dhe UEFA-s:

“Jemi ngarkuar nga kryeministri për të diskutuar për 4 pikat e Ligës Profesioniste. Edhe parlamenti më ka deleguar mua për të negociuar me këto grupe interesi. Në tavolinë me mua ishin të gjithë ata që kanë një eksperiencë të madhe në këtë fushë, pritëm Ligën Profesioniste te Ministria e Financave, por nuk erdhi. Dua të bëj një pyetje: Ku e ka Liga selinë? Sa e ka buxhetin? E ka 0! Arbitrat kush i cakton? Federata! Politikat e zhvillimit? I cakton Federata! Unë mendoj se duhet të dalë hapur presidenti i FSHF-së bashkë me grupin.

Të gjitha kërkesat i kemi analizuar, por s’është normale kjo që t’i bësh presion qeverisë. I bëj thirrje Koço Kokëdhimës, që sporti në 30 vjet është informal. Duhet të ndjekin të gjithë klubet modelin e Korçës, nuk është normal që qytetarët të shkojnë në bashki dhe të japin taksa një miliardë për një klub futbolli. Në ç’vend të botës ndodh kjo? Bashki të majta dhe të djathta, është e tmerrshme të japësh 500 mijë euro për një skuadër në kategori të dytë. Kemi miratuar Ligjin për Dhunën, Ligjin e Sponsorizimeve. Hajde ta bëjmë, nuk bëhet nëpërmjet konferencave në televizion.

Ne do bëjmë një reformë për sportin. Kërkesat janë të drejta, i kemi analizuar të gjitha, jemi gati të flasim për më të mirën. Duhet të themi se çfarë zgjidhet ose jo. Të flasësh për 6 përqindëshin duhet të kesh një produkt. Çfarë shet futbolli, biletat apo lojtarët? Ligji i ri ka një synim, që në sport të fusim kompani të mëdha. Sponsorizim është të vësh një reklamë në stadium dhe të marrësh përfitim te biznesi yt.

Për ligjin e sponsporizimit do ulemi të flasim, pasi as nuk jam i kënaqur me këtë që është tani. Pa dashur të ofendoj njeri, njerëzit e sporti nuk lexojnë shumë. Ligji i sportit ka kaluar në kuvend me 90 vota, e ka mbështetur edhe federata. Ky ligj është kushtetuta e sportit. Për këtë duhet të flasim, nëse është ligj europian apo jo. Çfarë janë probleme shtesë për sponsorizimin, duhet të hiqen. Ne kemi thënë se të gjitha materialet do futen pa taksë dhe pa doganë.

Edvin Libohova është kryetar i komitetit dhe tashmë është vënë kryetar i Ligës. FSHF-ja e bëri edhe njëherë për t’i hedhur hi syve UEFA-s dhe FIFA-s. Nuk mund të pranoj unë që si qytetar të pranoj që taksat e mia të bëhen rroga për skuadrat. Sporti larg politikës. Sporti duhet të na bashkojë. Të vijnë të na thonë çfarë duan, jam në krahun e tyre, kam dy ditë bëj debate me ministren. Nuk bëhet fjalë vetëm për futbollin, por për gjithë sportin”, – tha Ylli.

Katër kërkesat e Ligës
– Miratimi i një ligji të ri për sponsorizimet, sipas formës së propozuar nga komuniteti i futbollit, pasi ndryshimet e propozuara nga qeveria nuk kanë asnjë efekt.
– Përfshirjen e të gjitha aktiviteteve ekonomike të futbollit në TVSH-në e reduktuar në masën 6% si bujqësia dhe turizmi dhe jo vetëm infrastrukturën sportive.

Heqjen e gjobave dhe kamatë-vonesave për detyrimet fiskale të prapambetura për të shmangur kolapsin financiar të klubeve.

Zgjatjen e efekteve të përjashtimit nga tatimi mbi të ardhurat për sportistët nga 2 në 10 vite.