Janë pezulluar të gjitha mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit në portin e Vlorës për shkak të kushteve meteorologjike.

“Në bazë të parashikimit të kushteve hidrometeorologjike për 72 orët e ardhshme në portin e Vlorës dhe jashtë saj do të jenë: Era dhe deti në drejtimin jug-jugperëndim forca 5-6bft brenda gjirit të Vlorës dhe jashtë gjirit të Vlorës: Era dhe deti në drejtimin jug-jugperëndim forca 6-7bft deri 8bft jashtë”.

Nga kapiteneria e Portit njoftohet se përmirësimi i kushteve hidrometeorologjike do të jetë në datën 24 janar ora 06:00.

IGJEUM dhe Shërbimi Meteorologjik Ushtarak kanë parashikuar reshje intensive shiu prej datës 22 deri më 26 janar në të gjithë territorin e vendit. Bazuar në këto të dhëna, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, në Ministrinë e Mbrojtjes, ka paralajmëruar bashkitë dhe prefekturat të marrin masat në mënyrë që kjo situatë të mos i gjejë të papërgatitur.