Nga Mentor KIKIA 

Merreni këtë drejtësinë, futeni në një gotë me ujë dhe pijini lëngun tri herë në ditë!

Një nga fytyrat më të poshtra të politikës postkomuniste, Arben Ahmetaj (më ndjeni për mungesën e etikës) është vënë nën një tjetër akuzë nga SPAK.
Që para 7-8 vitesh, ky si ish-minister i financave, akuzohet se ka firmosur shitjen si pronë publike të një ish fabrike, të cilën pronari e kishte fituar në të tria shkallët e gjykatave. I ishte shitur një kompanie ndërtimi, për të bërë një kompleks pallatesh, (e ç’dreqin tjetër bëhet në këtë vend veç pallateve?). Sipas medias që raportojnë lajmin, prona vlente miliona euro.

Vetë Ahmetaj, nga atje ku është, ka reguar në rrjet duke hedhur poshtë akuzat dhe historinë e fabrikës, por duke shtuar se këto janë sulme politike e mediatike të “kokës se vërtetë e zezë të kopesë” dhe bandës së inceneratorëve. Por kush është kjo koka e kjo banda? Përse ky nuk vjen e të tregojë?

Tani, ky njeriu mund tê dënohet edhe për këtë akuzë të re, për shpërdorim detyre.
Po kujt i hyn në punë kjo tani? Ai është në arrati, i kërkuar për disa vjedhje të tjera, edhe më të mëdha. Familjes që kishte pronësinë iu bë dëmi, iu mor prona.

Përse ky njeri e të tjerë si ky, nuk u ndaluan në kohë kur po shkelnin ligjin, si nga vetë institucionet monitoruese të qeverisë, ashtu dhe nga drejtësia?

Kujt dreqin i duhet kjo drejtësi tani ndaj njerëzve, që pasi i bëjnë gjëmën buxhetit të shetit, ose dënohen modestisht, ose bredhin nëpër botë me paratë e korrupsionit?