Dy humbje radhazi, një në kampionat ndaj Atalantës dhe një tjetër në Kupën e Italisë në derbin ndaj Interit, kanë tronditur jo pak besimin në ambientin e Milanit, që gjithsesi u shpall kampion dimri dhe do të provojë të ruajë të njëjtën ecuri edhe në fazën e dytë.

Kuqezinjtë do të rikthehen në fushë nesër pasdite, pasi do të luajnë në transfertën e “Dall’Ara”-s ndaj Bolonjës, ndërsa trajneri Stefano Pioli pranoi se duhet djersitur shumë ndaj emilianëve, për të arritur te fitorja.

“Pas një jave si kjo, është shumë e rëndësishme që nesër të rikthehemi te fitorja. Megjithatë duhet të bëjmë kujdes, pasi ndaj Bolonjës duhet të derdhësh shumë djersë për të fituar. Do të jetë një ndeshje e vështirë, por jo vendimtare, pasi është ende herët. Problemi ynë momentalisht është se futbollistët nuk kanë të njëjtin ritëm, për shkak të dëmtimeve dhe prekjes nga koronavirusi, por pas ndeshjes me Bolonjën do të kemi kohë të punojmë më mirë”, u shpreh Pioli.

Tekniku kuqezi është rikthyer të flasë edhe për incidentin Ibra-Lukaku në derbi, si dhe kartonin e kuq të suedezit.

“Ka keqardhje sepse la skuadrën me 10 vetë në një moment të rëndësishëm, por e shoh të karikuar në maksimum për sfidën e nesërme. Mund të ndodhin situata të caktuara, si ato në derbi. Nuk më pëlqeu ajo që ndodhi, të jem i sinqertë; por tani duhet të vendosim pikën në fund kësaj çështjeje. Ibra nuk ka qenë kurrë racist; historia e tij është e qartë”.

Lidhur me situatën aktuale të sezonit, Pioli specifikoi: “Momenti vendimtar i sezonit nuk është ky, por të bërit mirë tani do të na lejojë të qëndrojmë përpara në renditje dhe të mbajmë lart moralin. Bennacer është më mirë, por ka qenë jashtë për një kohë të gjatë. Lëndimet e muskujve duhet të trajtohen me kujdes. Ai do të grumbullohet për nesër, nëse performon mirë. Unë nuk mendoj se do të luajë titullar. Ai është një mesfushor i plotë, me hapësirë ​​të bollshme për përmirësim. Është mirë që do të kthehet”.