Ndonëse ka fituar titullin kampion për 9 vite me radhë, këtë sezon Juventusi ka mbetur disi mbrapa dhe pas 15 javësh e sheh veten plot 10 pikë larg Milanit kryesues, ndërsa nesër në mbrëmje do të përballet pikërisht me kuqezinjtë në “San Siro”.

Takimi mes dy skuadrave është mjaft i rëndësishëm për Juventusin, pasi në rast humbjeje do të mbetej shumë mbrapa në renditje, por edhe për trajnerin Andrea Pirlo, që para se të vishte fanellën bardhezi, fitoi gjithçka me Milanin.

Tekniku bardhezi doli pasditen e sotme në konferencën e zakonshme për shtyp, ku foli për sfidën ndaj Milanit dhe kujtimet për karrierën me kuqezinjtë, por u mundua t’ia zbehë rëndësinë sfidës, duke pranuar se gjithçka do të mbetet e hapur, pavarësisht rezultatit.

“Sfida Milan-Juventus nuk do të jetë vendimtare, por sigurisht një përballje shumë e rëndësishme. Ishte shumë tërheqëse si sfidë kur isha futbollist, pasi kam veshur fanellën e të dy skuadrave dhe mbetet e njëjtë edhe tani që jam trajner”, u shpreh Pirlo.

Bardhezinjtë vijnë me probleme në këtë sfidë, pasi Morata nuk është rikuperuar dhe Alex Sandro rezultoi i prekur nga koronavirusi ditën e djeshme, ndërsa Pirlo pranoi se po pret me shqetësim përgjigjet e testeve të kryera dje.

“Alex Sandro doli pozitiv dhe tani po presim me padurim përgjigjet për pjesën tjetër të skuadrës, me shpresën që nuk do të kemi të prekur të tjerë. Dybala kishte temperaturë dje, por sot ishte mirë dhe besoj se do ta kemi në dispozicion. Sa i përket Moratës, do të vendosim para ndeshjes bashkë me stafin mjekësor, ndërsa mund të them se Rabiot, Arthur, Cuadrado, Demiral e Chiellini janë në formë, ndaj mund ta nisin nga minuta e parë nesër”, tha trajneri i Juventusit.