Nga Kastriot KOTONI

Ja, po vjen dita e shumëpritur ku pozita dhe opozita do të ulen në tavolinë… A thua se nuk e di populli që ata janë bashkë në të gjitha bizneset, tenderat e ofertave të investitorëve strategjikë…? Po ja të fusim faktorin ndërkombëtar të cilin këta politikanët tanë e duan si justifikim për elektoratin, se “çfarë t’i bëj faktorit ndërkombëtar se unë me këtë opozitë nuk ulem kurrën e kurrës”… Humor i zi që është treguar këtu e 110 vjet më parë, kur dy barinj nga treva e Vlorës kërkonin që të vinte vetë kreu i qeverisë së Vlorës Ismail Qemali për t’i pajtuar dhe, pasi të kryhej pajtimi, ta merrte vesh telegrafi i Evropit dhe, po nuk e shikuan me sytë e tyre lajmin e botuar në shtypin ndërkombëtar, nuk merrte fuqi pajtimi i tyre.

Ushtria mediatike e palëve në frontin e pozitës dhe opozitës, pasi i harxhoi të gjitha municionet u dorëzua pa kushte. Afërmendsh, militantizmi i sëmurë dhe fenomeni i lëpirësit të bosit i ka këto ditë me duart lart. Në këtë tollovi ku lajmi nuk ka kohë të gjykohet e të diskutohet, jemi një shoqëri e çoroditur që i ngjajmë batutës së filmit Kapedani, me thënien lapidare: “More qafir! Si kalon nga lufta në Vietnam tek ndërzimi artificial?!”.

Një të fituar një gjyq i biri botës në Amerikë, këta dhjaksat tanë politikanë o burra u turrën drejt republikanit amerikan Tramp. Po more po, nuk e harroj një figurë si Xhafer Ypi që një ditë më parë më 6 prill i bënte temenara mbretit Zog si patriot që do ngjishte opingat për të luftuar ndër male kundër Italisë e më pas, ky Xhaferi, më 7 prill, u doli përpara italianëve duke u shprehur : “Shyqyr që na erdhët se na shpëtuat nga ky maloku!”…

Kështu më pas vazhdoi Enveri me jugosllavët, sovjetikët e kinezët e më pas Saliu e të tjerë deri ke Rama. E tensiononi situatën sipas oreksit tuaj diabolik në dëm të interesave të popullit e pa pikë turpi njëherë thoni se Saliu është nacionalist në sy të Presidentit…, Hashim Thaçi (e nja 100 të tillë) është i hurit dhe i litarit… Pastaj u kapët pas “Nongratës” etj., që një mendje e kthjellët më në fund bindet që këtu në këtë vend duhet ikur natën e jo ditën… Se këta politikanë, ditën rrihen në Parlament a në demostrata e natën puthen e ndajnë pazaret si gangsterët.

Kaq e vështirë paska qenë që të uleshin këta burra zamani për të mirën e popullit?!

Ja, ta vemë në kandar këtë elektoratin gri, apo atë elektoratin e pavendosur që na bën gjëmën, po nuk anoi ai, nuk fiton asnjëra palë. Po çfarë është ky lloj elektorati që shkon ku ka më shumë një kokër orizi?!

Një këngëtar thotë “Po të dua unë të merrem me politikë, ua marr 600 mijë vota racës time”… Tjetri mezi pret që të bëhet amnistia penale, një tjetër i ka të gjithë në punë shteti po e do një fëmijë të fitojë magjistraturën, një tjetër pret të marrë karburant për bujqësinë e kështu vijon me ata që zaptojnë plazhet publike. Po ja edhe ca mjekë që duan doktoratura dhe emërime pranë qendrave të mëdha urbane. Shkurt, me menaxhim më të mirë të patronazhistëve të partive  duhen futur në vathë këta të elektoratit gri. Po harojnë që qerrja e partisë nuk lëviz pa para, ndaj edhe elektorati më i rëndësishëm mbetet biznesi i madh që, për fat keq, ka një ndikim të jashtëzakonshëm në medie. Ky lloj elektorati as nuk merr pjesë në fushatat për zgjedhjet në parti e as për fenomenin e zgjedhjeve në Amerikë, ku duan t’ia dinë këta seç thotë politika shqiptare që si urithi pret se kush do të hyjë në Shtëpinë e Bardhë, u ecën biznesi për bukuri , qoftë me Salën, qoftë me ngjalën. Vajti Gaz Bardhi në Amerikë e si një delfin u katapultua pranë Sali “nongratës”… Ja, vajti edhe Jorida…, edhe ajo pak më e moderuar hodhi ca ide… Po këta harrojnë se fusha e vërtetë është në Shqipëri. Këta u ngjajnë atyre pulave dhe gjelave që fryhen me gjilpëra, haruat fenomenin Lul Basha që për turp të tij e lodhi zëvendëskretarin amerikan zotin Eskobar me ike ardhjet Tiranë – Amerikë, e në vend t’a mbante partinë e rudhosi tek 5%. Njeriu që e shuajti opozitarizmin, Lulëzim Basha, rikthehet pa pikë përgjegjësie në politikë! Edhe ky kërkon elektoratin gri, merreni me mend seç kërkojnë partitë e tjera të Mediut, Doshit, Shehit, Idrizit, Metës, Dules e sa e sa të tjera. Kjo paçavure politikë gjoja pragmatiste alla shqiptare e hodhi popullin në greminë disa herë dhe sot shqiptarët jetojnë mes tmerrit të bazave të armatimit të bandave mafioze, ore po dy tre aksione kryen policia dhe shikojeni se çfarë arsenali armësh kanë grupet kriminale? Nuk sheh një qëndrim të unifikuar të politikës kundër krimit dhe armatosjes së popullsisë me armët e vjedhura në trazirat e vitit të mbrapshtë 1997 që e prodhoi politika.

Shkurt me pritjen e zgjedhjeve në Amerikë merret politika jonë e cila e kalon ylberin nga dashuria për perëndimin me samite ndërkombëtare e hapjen e bazave të NATO- s por e shumta një javë dhe kthehet tek avazi i vjetër me cic mice “jo ma fute, jo ta futa” e populli ngelet me gisht në gojë e ikën nga sytë këmbët. Po ka gjykatës a prokuror të çartur të dënojë njeri, kur ti politikani frymën e shtetit ligjor për ndëshkueshmërinë e cilitdo ta kthejë në një elikë që të rrotullohet nga fryn era? Vallëzimi i fundit qoftë ky pazari i pozitës me opozitën…, se ne ore popull varemi: a u zgjodh, apo nuk u zgjodh Trampi president!