Nga Ethem RUKA

Artikulli i parë që lexova me shumë kuriozitet nga dora e akademikut Rexhep Qosja ishte një shkrim polemik me Ismail Kadarenë botuar në gazetën kosovare Rilindja. Nuk e mbaj mend se në çfarë rrethanash dhe kur saktësisht ra në dorën time një nga numrat e kësaj gazete në një nga sallat e Bibliotekës sonë Kombëtare. Ajo konsiderohej e rezervuar dhe mund të shfrytëzohej vetëm me autorizim të posaçëm.

Mesa mbaj mend, Qosja i kujtonte Kadaresë të qëndronte në shinat e letërsisë, por jo të kritikës, ndërsa ai vet në shinat e studiuesit të historisë së letërsisë. Për ne lexuesit e thjeshtë që nuk ishim pjesë e krijimtarisë letrare, Kadareja, këtej kufirit dhe Qosja përtej tij, ishin dy figurat më emblematike që i bënin nder kombit shqiptar.

Nëse Kadarenë e Agollin patëm fat t’i njihnim nga afër, Qosjen e njihnim përmes veprave, por kurrë nuk na ishte dhënë rasti t’i jepnim dorën qoftë edhe një herë të vetme. Cili nuk do të donte ta kishte patur këtë fat? Mjerisht, mua më qëlloi shumë von të njihesha nga afër me Akademikun e shquar Rexhep Qosjen.

Vitet 1990 e bënë më të afërt Shqipërinë me Kosovën dhe shqiptarët e të dy anëve të kufirit mund të takoheshin më lirisht. Krijimtaria e Kosovës mund të botohej edhe te ne pa çensurë si në kohën e Hoxhës. Shtëpia botuese “Toena” e themeluar në vitin 1993, me president Fatmir Toçin, mori përsipër botimin e veprave të Qosjes në Shqipëri. Tashmë, autori i tyre do të vinte më shepsh në Tiranë për të promovuar veprat e tij. Falë miqësisë me Zotin Toçi, mu krijua edhe mua mundsia për t’u takuar e njohur nga afër me Akademikun Qosja.

Admirimi im për të ka mbetur i pandryshua që nga dita që i dhash dorën për herë të parë. Qosja është një personalitet i madh dhe krejt i veçantë në integritetin e tij. Mund ta njohësh dika nga veprat, intervistat televizive, fotot e gjithçka tjetër, por nuk është e mjaftueshme. Është krejt ndryshe kur ulesh e bashkëbisedon me të si mik tavoline. Dhe unë pata fatin të drekoja për herë të parë me Akademikun kosovar në bregdetin e Golemit të Kavajës, aty nga viti 1997. Ishim të ftuar të botuesit Fatmir Toçi.

Para se të drekoni shetitëm buzë detit. Pushues të shumtë e shikonin me admirim të veçantë akademikun. Disa prej tyre ndaluan për t’i dhënë dorën me shumë dashuri. Pati prej tyre që nuk u mjaftuan me kaq, por i puthën duart si të ishte një shenjt i gjallë. Ishte me të vërtet një gjë e pazakontë.

Në hollin e hotelit ku ndodhej restoranti ishte edhe nje fushë ping-pongu. E ftova akademikun të luanim së bashku. Ishte i vetmi sport me të cilin unë mund të mburresha. Luajtëm për pak minuta e pastaj drekuam. Akademik Qosja dëgjon shumë dhe flet pak, por kur flet të tjerët heshtin.

Që nga ajo ditë, u bëmë miq me akademikun dhe më von u takuam shumë e shumë herë të tjera. Në kohën e luftës së Kosovës, Akademik Qosja erdhi në Tiranë. Atë e sistemuan në vilën qeveritare 31. Në atë kohë unë isha Ministër Arsimi dhe shkoja thuajse çdo ditë për ta takuar. Mundohesha t’i qendroja sa më afër. Sa herë shkoja i çoja shtypin e ditës si dhe lajme të mbledhura nga interneti për Kosovën. Akademik Qosja nga natyra është i përmbajtur, por shqetsimin mund t’ia lexoje në çdo muskul të mimikës së tij.

Ai nuk i harroi takimet e përditshme me mua dhe i ka përmendur në një nga botimet e tij. Edhe pse nuk ishim njohur më parë, ai më kish ndjekur si deputet përmes televizionit shqiptar dhe përsëri kishte shkruar për mua. Atij njeriu nuk i shpëton asgjë. Jam i bindur që ditari i tij, ende i pa botuar plotësisht, duhet të jetë një thesar më vete.

Përmes Zotit Fatmir Toçi ai u vu në kontakt edhe me shoqatën atdhetare “Nderi i Kombit” Labëria. Akademiku nuk e njihte nga afër Jugun e Shqipërisë. Një grup miqsh, mes tyre edhe unë, vendosën t’i organizonim akademikut një vizitë miqësore në trevën e Labërisë. Vizita filloi me Tepelenën. Unë pata fatin të isha një nga shoqëruesit e tij. Pritja në Tepelenë ishte shumë e ngrohtë. Ai u prit si mik i rrallë e me të gjitha nderimet.

Dreka e organizuar në një nga restorantet e luginës së Vjosës u shndërrua në një festë të vertet. Golik Jaupi bashkë me grupi polifonik të Bënçës këndoi për të. Në një çast dikush na vuri nga një qylaf në kokë. Akademiku mori trajtën e një labi të vërtet dhe u bë njësh me ne. Atë çast e kemi fiksuar në një foto mbresëlënëse që e ruaj edhe sot. Miku, në shoqërinë e Ftamir Toçit, vazhdoi rrugëtimin në drejtim të Gjirokastrës, Delvinës e Sarandës, ndërsa unë për arsye pune u ktheva në Tiranë.

Pas dy-tre ditësh, unë u ribashkova përsëri me të në Kuç të Vlorës, një fshat emblematik i Labërisë që është edhe vendlinda e botuesit Fatmir Toçi. I gjithë fshati, por edhe banorë të fshatrave të tjerë kishin ardhur në Buronjat e Kuçit, për të nderuar mikun e rrallë nga Kosova. Ajo që mbaj mend nga fjala përshëndetëse e akademikut ishte shumë prekëse. “Unë nuk do ta kisha njohur plotësisht Shqipërinë, nëse nuk do të kisha njohur Labërinë”.

Pas gjithë ndërimeve, akademik Qosja u kthey në Tiranë. Para se të ndaheshim, i thashë se vizita e tij ishte ende e pa plotë. Herën tjetër do të ftojmë të vizitosh qetësisht edhe bregun e Jonit.

Premtimi u plotësua kur Akademik Qosja, në shoqërinë e profesor Paskal Milos, mbritën në Himarë. Unë dola në hyrje të Himarës për t’i pritur. Vizitën e filluam me kalanë e Himarës, brenda mureve të së cilës mund të ndjesh shpirtin e vërtet të himariotëve. Ishte hera e parë që Qosja vizitonte në qetësi kryeqendrën e bregut, Himarën. Ai dëgjonte me shumë vemendje shpjegimet e profesor Milos për historinë e zonës.

Bregu është mahnitës në gjithçka. Për gjithkënd që e viziton atë për herë të parë, duket sikur është në një botë tjetër. Kaltërsia e qiellit shkrihet me blunë e thellë të detit. Në drekë, kur fillon fllad i lehtë, duket sikur rrezet e djellit thyhen në mijra copëza që lodrojnë në sipërfaqen e ujit.

Njerëzit e këtyre anëve, janë bijtë e detit, por edhe të malit. Të gjitha fshatrat me shtëpi të gurta duken sikur kanë mbirë nga shkëmbi. Falë terrenit të pjerrët, dritaret e ballkonet e çdo shtëpie shikojnë nga deti. Aty edhe ajri është ndryshe. Oksigjeni përzihet me avujt e plotë kripëra të detit, por edhe me aromat e luleve të agrumeve.

I tregova mysafirit të nderuar nga Kosova, një legjendë të vjetër për Himarën. Dikur Zoti kish vendosur tu ndante tokat njerëzve. Disave u kishte dhënë tokë në mal, disave në fushë, të tjerëve në lugina e gjithkund tjetër. Për fat të keq himariotët i kishte harruar. Të mërzitur ata ju lutën Zotit t’i trajtonte si gjithë të tjerët. Dhe Zoti i dëgjoi me vemendje. Kini të drejtë- tha ai. Ju kam harruar vërtet, por pa dashur. E kisha ruajtur bregun për vete, por po ua dhuroj juve. E kështu, himariotët morën tokën e shënjtëruar nga Zoti, të cilën e trashëguan deri në ditët tona.

E ftuam mikun nga Kosova të shëtisnim në det me gomonen e mikut tim himariot, Vasilit. Himara, dhe gjithë bregu nuk mund të shijohet nëse nuk e sheh edhe nga deti. Ujrat e gjinjvë rrëzë shkëmbinjve marrin ngjyra mahnitëse në orë të ndryshme të ditës. U nisëm në drejtim të Palermos. Ishte një ditë shumë e bukur e plotë diell. Lundruam ngadalë për ta shijuar sa më shumë peizazhin mahnitës. Në kodrën përballë ngrihet kalaja e Ali Pashë Tepelenës, që ngjan me një anije madhështore.

Ishte një ditë e paharruar për ne dhe mikun tonë Qosjen. Tashmë ai e kishte njohur nga afër Labërinë dhe shpirtin e saj të zjarrtë. Ndoshta vizita e tij u bë shkak që ai të pranonte ftesën për t’u bërë Kryetar nderi i Shoqatës Patriotike Labëria, Nderi i Kombit.

Akakademiku Rexhep Qosja ka lindur në Vuthaj të Kosovës, por vendlindja e tij është në të gjitha trojet shqiptare. Ai është kosovar, por edhe lab si ne të tjerët. Dhe ne kemi të drejtë të ligjshme të mburremi me të. Kush e ka zili le të na lejë neve. Së gjalli nuk i bëjmë dot një shtatore. Nesër, me siguri labërit do t’ia ngrënë një të tillë në zemr të trevës së tyre.