Partia Demokratike ka kërkuar ndërhyrjen e policisë, duke theksuar se “po vihen në rrezik real jetën e drejtuesve më të lartë të Partisë Demokratike në qendër dhe në rrethe, si dhe të dhjetëra demokratëve të tjerë”.

“Sali Berisha po rrezikon jetën e dhjetëra demokratëve me aktet e dhunës së sotme! Me një akt të paprecedentë, mercenarët nën urdhrat e tij, po sulmojnë godinën e Partisë Demokratike, duke vënë në rrezik real jetën e drejtuesve më të lartë të Partisë Demokratike në qendër dhe në rrethe, si dhe të dhjetëra demokratëve të tjerë. Gjakderdhja duhet ndalur nga institucionet ligjzbatuese! I bëjmë thirrje institucioneve të ndërhyjnë për të shmangur viktimat e dhunës së Sali Berishës mes demokratëve”, lexohet në deklaratën e PD-së.

Policia e Shtetit: Një grup deputetësh njoftuan se u kërcënohet jeta, gati për të ndërhyrë

Policia e Shtetit tha se në bazë të një kërkese të bërë Policisë së Shtetit, nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike, të cilët kanë kërkuar ndihmën e Policisë, pasi i rrezikohej jeta nga protestuesit, sqarojmë se:

Policia e Shtetit është gati për të ndërhyrë në ndihmë të deputetëve që kanë kërkuar ndihmë dhe u bën thirrje protestuesve që të distancohen menjëherë nga aktet e shkatërrimit të pronës dhe aktet e dhunës.

Policia e Shtetit u bën thirrje organizatorëve të protestës që të përmbajnë protestuesit dhe të shmangin çdo rast dhune, sepse do përballen me ligjin.