5 persona të tjerë janë vënë në pranga pas kapjes së të shumëkërkuarit Nuredin Dumani.

Mes të vënëve në pranga janë dy mjekët, Julian Malaj, Bledi Bërdalli dhe ndihmës mjeku Ermal Gjeci. Ata janë punonjës të spitalit të Fierit dhe u arrestuan me urdhër të policisë së Elbasanit.

Këta persona dyshohet se kanë mjekuar 35-vjeçarin Nuredin Dumanin në shtëpi dhe nuk e kanë kallëzuar ngjarjen.

Në pranga ka rënë edhe e dashura 20-vjeçare e Nuredin Dumanit. Mirjetë Hajdini është banuese në Kosovë dhe akuzohet për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.

Ndërkohë i arrestuar është edhe Henrik Hoxha, për veprat penale  “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Nuredin Dumani mbeti i plagosur të martën pas një atentati me armë në Papër të Elbasanit. Policia e arrestoi atë disa orë më pas në një apartament në lagjen Apollonia të Fierit, të cilën kishte pak kohë që e kishte marrë me qira.

Nuredin Dumani ishte një nga më të kërkuarit e policisë, pasi konsiderohet si i përfshirë në shumë ngjarje kriminale dhe vrasje të ndodhura vitet e fundit. Ai konsiderohet edhe si rival i Talo Çelës, një tjetër i shumëkërkuar nga policia shqiptare, i cili vijon të jetë ende në arrati.

Njoftimi i policisë

Në vijim të veprimeve hetimore në kuadër të operacionit policor të koduar “Arratia”, i realizuar më datë 29.03.2022, nga DVP Elbasan, në bashkëpunim me forcat RENEA, Departamentin e Policisë Kriminale dhe DVP Fier, për kapjen dhe arrestimin e shtetasit në kërkim Nuredin Dumani, i dyshuar për kryerjen e disa vrasjeve, nga specialistët për Hetimin e Krimit në DVP Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

J. M., 43 vjeç, banues në Fier, me profesion mjek në qytetin e Fierit, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”;
B. B., 41 vjeç, banues në Fier, me profesion mjek në qytetin e Fierit, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”;

E. Gj., 36 vjeç, banues në Fier, me profesion ndihmësmjek në qytetin e Fierit, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”;
Gjithashtu, në kuadër të këtij operaconi është bërë arrestimi i shtetasve:

H. H., 40 vjeç, banues në Fier, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;

M. H., 20 vjeçe, banuese në Kosovë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”;
Po në kuadër të këtij operacioni u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, ndaj shtetasit Nuredin Dumani, 35 vjeç, banues në Durrës, e cila i ka caktuar atij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan është duke hetuar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, lidhur me dyshimet për përfshirjen e shtetasit Nuredin Dumani, në vepra të tjera penale apo të lidhjeve të tij me aktivitetet kriminale, me qëllim dokumentimin me prova ligjore dhe zbardhjen e plotë të ngjarjeve për të cilat ka dyshime se ky shtetas mund të jetë autor.

Materialet do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.