Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli ka ndërruar jetë në moshën 65-vjeçare. Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i tij. Ish-gazetari italian dhe politikani i qendrës së majtë ishte në gjendje të rëndë prej më shumë se dy javësh dhe kishte anuluar të gjitha aktivitetet zyrtare.

Sassoli ishte shtruar në spital në Itali muajin e kaluar për shkak të disa komplikacioneve të rënda me sistemin imunitar. Ai vdiq në orët e para të së martës në një spital në Aviano. Sassoli ishte shtruar në një spital Strasburg në muajin shtator si pasojë e një rasti të rëndë pneumonie. Por në muajin nëntor ai nisi sërish detyrat e tij politike.

Gjatë këtij muaji do të votohet për të zgjedhur zëvendësuesin e Sassolit, pasi ky i fundit pati deklaruar se nuk do të rikandidonte më. Sassoli u bë President i PE-së në Korrik të 2019-s.

Roli që ai ka mbajtur konsiderohet si një nga më të rëndësishmit të jetës politike në BE. Në vitin 2009, Sassoli u bë anëtar për herë të parë i PE-së. Sassoli ishte anëtar i Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve, grupimi i dytë më i madh i parlamentit.

“Çfarë trishtimi! Miku ynë i mirë, Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli, një europian i paepur, një italian krenar, një avokat i zjarrtë i Shqipërisë, gazetar i shquar dhe më pas politikan i respektuar nga të gjithë, ndërroi jetë befasisht duke lënë pas një boshllëk të ndjeshëm tek kushdo pati nderin e kënaqësinë ta njihte… Addio caro David, riposa in pace”. Me këto fjalë kryeministri Edi Rama shprehu ngushëllimet e tij për ndarjen e parakohshme nga jeta të presidentit të PE, David Sassoli.

Presidenti Ilir Meta u shpreh i hidhëruar nga humbja e papritur e Presidentit të Parlamentit Europian.

“I hidhëruar nga humbja e papritur e një europianisti të shquar dhe mbështetësi të palodhur të zgjerimit të BE drejt Ballkanit Perëndimor dhe integrimit të Shqipërisë, Presidentit të Parlamentit Europian, David Sassoli. Ngushëllime për familjen e Tij dhe institucionet europiane!“

Edhe kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, shprehu ngushëllimet e saj.

“Jam thellësisht e dëshpëruar për ndarjen nga jeta të Presidentit të Parlamentit Evropian, David Maria Sassoli. Evropa humbi një politikan e shtetar të shquar, Parlamenti Evropian liderin e tij vizionar, Shqipëria humbi një mik të madh, të rrallë e të çmuar, që ishte, siç u shpreh Ai vetë në takimin që patëm para një muaji, “zëri i Shqipërisë brenda BE-së”. Ngushëllime familjes! Pushofsh në paqe, i dashur David!”, shkruajti Nikolla.