Presidenti Ilir Meta ka qenë te TV Syri, i cili është shndërruar në një vend pelegrinazhi për të gjithë ata që janë rreshtuar në krah të Berishës në betejën e këtij të fundit kundër Bashës.

Ai nuk mundi të bënte lajm me çfarë tha për zgjedhjet lokale, për betejën Basha-Berisha, për vizitën e Erdoganit në Shqipëri apo për vizitën e tij në Lezhë për të nderuar Skënderbeun “e nëpërkëmbur” prej vizitës së Presidentit turk.

Por bëri lajm me diçka tjetër. Pas pyetjes se Basha ka paralajmëruar që njëri nga këndet e “trekëndëshit të Bermudës” do të shpallet së shpejti non grata, duke bërë aluzion për të, ai iu përgjigj në mënyrë nervoze, dhe zuri të fliste menjëherë për një palo ambasadë, duke iu referuar qartazi ambasadës amerikane. Madje, zuri të fliste edhe për një palo shtet, në një kohë që i vetmi shtet që pritet të shpallë persona non grata janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ishte po aq nervoz gjatë përgjigjes sa ishte pak ditë para zgjedhjeve të fundit parlamentare, kur iu desh të fliste për një mesazh që i kishte ardhur në telefonin e tij nga ambasadorja amerikan, Youri Kim. Në atë rast, ai e ftoi supefuqinë që, para se ta vrisnin, ta lajmëronin, në mënyrë që ai të shkonte në Malin me Gropa, e kështu të kurseheshin jetë të tjerë humane!!! Syri vetë nuk e dha si lajm këtë pjesë nga intervista e tij.

Përgjigja e plotë e Metës pas aluzionit mbi një non grata tjetër ishte: “Nëse ka ndonjë palo ambasadë apo palo shtet që ka zgjedhur një palo politikanë për t’i dërguar mesazhe Ilir Metës. Ilir Metën këtu e kanë patur, këtu e kanë dhe këtu do ta kenë, sidomos pasi të jem në këtë post. Kur Ilir Meta ka dalur në lëvizjen e dhjetorit nuk ka patur ambasadë amerikane në Tiranë, unë kam respekt për ambasadën amerikane.

Kush ka një mesazh për Ilir Metën le t’ia thojë direkt Ilir Metës dhe do marrë përgjigjen ashtu siç e meriton. Ilir Meta është këtu, është super grata dhe beson te demokracia, beson te liria dhe beson mbi të gjitha te Shqipëria. Ilir Meta ka një atdhe dhe një axhendë.

Ilir Meta nuk është naiv, nëse dikush do territorin tonë por përbuz popullin tonë, sot apo nesër ai do të jetë armiku ynë dhe Ilir Meta i del përballë që sot. Unë jam njeri që respektoj në radhë të parë ligjet e shtetit tim dhe pastaj ligjet e shteteve të tjera dhe le të dalë një shqiptar që thotë më gënjeu Ilir Meta.

Të dalë një amerikan që të thotë më ka gënjyer Ilir Meta.”

Me sa duket, Ilir Meta nuk ka më asnjë shpresë se marrëdhëniet e tij me SHBA-të mund “të normalizohen”, e prandaj po bën lojën “të dalë ku të dalë”. Berisha ka kohë që e ka filluar këtë lojë, por ligjërimin anti amerikan në publik e ka mbajtur nën kontroll. Deri Tani.