Partia Demokratike ka prezantuar sot programin e saj për turizmin nëse fiton shumicën parlamentare në zgjedhjet e 25 Prillit.

Kryetari i kësaj partie, Lulzim Basha, ka deklaruar se Shqipëria ka shumë potencial në turizëm dhe me investimet e duhura mund të arrijë më shumë.

Sipas planit të PD-së, synohet që të rriten kapacitet akomoduese, numri i turistëve të huaj, si dhe të punësuarit në këtë sektor.

“Unë angazhohem të rrisim kontributin e drejtpërdrejtë nga turizmi në ekonominë tonë nga 8 në 10%. Angazhohem të dyfishojmë kontributin në punësim nga rritja e turizmit në ekonomi, nga 40.000 në 80.000 vende pune. Kjo do ta ndryshojë ekonominë tonë. Do t’u japë njerëzve punë dinjitoze dhe shpresë. Angazhohem të dyfishojmë kapacitetet akomoduese. Duke hapur kështu dyert për më shumë turistë. E për pasojë do të kemi më shumë vende të reja pune. Angazhohem të punoj për të rritur kohëzgjatjen e sezonit turistik, përmes diversifikimit të ofertave turistike: Bregdetare, malore, rurale, kulturore. Kështu ne do të dyfishojmë kohën e qëndrimit të turistëve të huaj në vendin tonë. Do t’u japim atyre më shumë arsye stimuluese për ta vizituar Shqipërinë. Si rrjedhojë e këtyre masave qeveria e re angazhohet të rrisë numrin e turistëve të huaj me 15% në vit”, u shpreh Lulzim Basha.

Në mbyllje të fjalës së tij, kryedemokrati u shpreh i bindur se pas 25 Prillit, Qeveria Rama do të largohet nga pushteti, të cilën e konsideroi si “qeverinë më të keqe në historinë e vendit”.