Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka kundërshtuar kërkesën e avokatit të Kadri Veselit, Ben Emmerson, për lirimin e përkohësisht nga paraburgimi të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Në një përgjigje të gjatë të Prokurorisë Speciale që mban në fund firmën e kryeprokurorit Jack Smith, janë renditur argumentet sepse Veseli, sipas organit të akuzës, duhet të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim.

Në këtë përgjigje, Prokuroria përmend edhe mundësinë e dënimit të Veselit me burgim të përjetshëm, si një prej arsyeve se pse sipas tyre ai nuk duhet të lirohet as përkohësisht.

“Veseli është akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në 40 vende të mbajtjes anembanë, përfshirë vrasjet dhe torturat. Krimet e paraqitura në akuza kundër Veselit sjellin një dënim të mundshëm me burgim të përjetshëm. Kjo perspektivë krijon rrezik të vazhdueshëm të arratisjes së tij”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.