Studentë dhe aktivistë të Lëvizjes për Universitetin kanë bërë të martën një aksion për të denoncuar mësimin online dhe për të kërkuar anulimin e tarifës universitare.

Ata kanë bërë grafiti në rrugët e kryeqytetit ku kanë shkruar: “Kemi Tarifa S’kemi Universitet” dhe “Dijen na e mohojnë , tarifat na i kërkojnë”.

Në një njoftim në Facebook, LPU shkruan se nuk do të ndalen deri në anulimin e tarifës të cilën e konsiderojnë absurde në një situatë si kjo e pandemisë.

n

Pak ditë më parë LPU denoncoi Rektoratin e Universitetit të Tiranës se po tallet me ta, duke mos i kthyer përgjigje për anulimin e tarifës.

Më herët Lëvizja për Universitetin i ka dërguar një peticion me 8 mijë firma Ministrisë së Arsimit ku kërkonte anulimin e tarifës në kushtet e mësimit online.

Kërkesën e tyre studentët e mbështesin edhe në studime të cilat dëshmojnë se sa efektiv ka qenë mësimi online.

Sipas një studimi të LPU 60% e studentëve shprehen të  pakënaqur për mënyrën se si po zhvillohet mësimi online.

Në studim morën pjesë 1570 studentë.

Studimi nxori në pah se 44.5% kanë akses të pjesshëm në internet dhe mbi 70% janë të detyruar t’i ndjekin leksionet përmes telefonit celular.

Ndërkohë të hënën disa studentë të tjerë, pjesë e “Studentët Denoncojnë” i dërguan qeverisë një peticion ku kërkonin rikthimin në auditore.