Sot, më 5 Maj 2022, në ditën e 80 Vjetorit të rënies së Heroit të Popullit Qemal Stafa, në parkun në qendër të Elbasanit, përballë bulevardit me të njëjtin emër, u përurua monumenti i tij. Në një masiv mermeri rreth 3 metër të lartë, skulptori i njohur elbasanas Vladimir Caridha ka gdhendur me një mjeshtri të admirueshme portretin e heroit, të kompozuar mbi një masë të modeluar që të kujton një libër a manifest të mbështjellë në formë stafete…

Autori i këtij monumenti, duket se ka parapëlqyer këtë interpretim skulptural, për të ngulitur në kujtesën e bashkëkohësëve, se heroi i pavdekshëm 21 vjeçar Qemal Stafa, veç botës së idealeve të lirisë e humanizmit të Shilerit, ishte një personalitet që i përkiste edhe botës së letrave e të artit të angazhuar përparimtar…

***

Në ceremoninë e përurimit, mes qytetarëve të shumtë, ishin të pranishëm deputetë, krerë të pushtetit vendor, pjesëtarë të familjeve të dëshmorëve (mes tyre edhe Veli Stafa, nipi i heroit) si dhe Xhuljeta Graceni, Kryetare e Organizatës së Familjeve të Dëshmorëve të Atdheut për Elbasanin, ideatore dhe nismëtare për jetësimin e këtij monumenti.

Simbolet e munguara të komunizmit (ylli), gjithsesi, nuk mund t’ia ulin vlerën artistike, as monumentit dhe as mund të mohojnë rolin historik të Partisë Komuniste Shqiptare dhe të Sekretarit të Parë të Rinisë së saj, në mobilizimin e popullit shqiptar në luftën e madhe antifashiste…

Ilir Mborja