Ministri Çuçi bëri të ditur për mediat dy vendimet të rëndësishme të qeverisë, që kanë të bëjnë me strukturën e re të Policisë së Shtetit dhe me vlefshmërinë e kartave të identitetit.
Në lidhje me afatin e vlefshmërisë së kartave ID, Çuçi tha:
“Miratuam vendimin për shtyrjen e afatit të dokumenteve të identitetit të shqiptarëve, të cilat skadojnë në 14 maj. Eshtë një shtyrje që vjen si rezultat i një konsultimi me KQZ që mbart shqetësimet e partive politike. Duke parë numrin e madh të dokumenteve të identitetit që kanë skaduar apo skadojnë deri në datën 14 maj, vendosëm që ta shtyjmë afatin dhe në këtë mënyrë, të gjithë shtetasit mund të votojnë në datën 14 maj, pavarësisht se dokumenti i tyre i identitetit, ka skaduar.”

Sa i përket miratimit të strukturës së re të policisë, Çuçi e konsideroi si një vendim shumë të rëndësishëm, që përmbush një nga objektivat e tij për 2023:

“Sot morëm edhe një vendim të rëndësishëm, për t’i hapur rrugë zbatimit dhe implementimit të strukturës së re të Policisë së Shtetit, duke miratuar të gjithë strukturën e gradave në qeveri. Tashmë, struktura që është miratuar, fillon zbatimin dhe është, besoj unë, një nga reformat më të mëdha strukturore që ka bërë Policia e Shtetit, sidomos për të adresuar pjesën e riorganizimit, apo ristrukturimit tërësor të policisë kriminale. Besoj që është një nga vendimet më të rëndësishme, edhe në zbatim të objektivave të Ministrit të Brendshëm për 2023, në lidhje me rendin dhe sigurinë.”

Duke iu përgjigjur interesit të mediave për kalimin në pronësi të shtetit të kompanisë së prodhimit të dokumenteve të identitetit dhe çmimin e tyre, Ministri Çuçi shpjegoi se:
“Eshtë një marrëdhënie kontraktore me kompaninë e cila mbaron në fund të korrikut të këtij viti. Dhe ne si qeveri, do përfundojmë kontratën dhe do të marrim në dorëzim të gjithë kompaninë e prodhimit të kartave. Pastaj, vendosja e çmimit, sigurisht, mbasi ne ta marrim në administrim këtë kompani, çështja e çmimit është një çështje që vendoset. Dhe jemi shumë më fleksibël për t’i vendosur dhe për t’i ndryshuar çmimet se sa më përpara, kur fiksohej me një kontratë të caktuar që miratohej me ligj, dhe do duhej që përveçse të negocioje me kompaninë, do të duhej të ndryshoje edhe ligjin. Kështu që jemi shumë fleksibël, dhe kjo jo domosdoshmërisht lidhet me ndryshimin e ligjit. Pa diskutim për dokumentet e identitetit do të shohim hapësirat tona për t’ia lehtësuar në maksimum shtetasve.”