Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit, Jorida Tabaku, u shpreh se Shqipëria nuk është gati për hapjen e negociatave, pas marrjes së progres-raportit nga ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca.

Sipas deputetes demokrate, qeveria duhet të heqë dorë nga armiqtë imagjinarë dhe të angazhohet për përmbushjen e kritereve.

“Demokracia, mirëqenia ekonomike, të drejtat e njeriut janë në përkeqësim. Ne nuk mund të sajojmë një luftë apo armiqësi të paqena me faktorë të jashtëm, ndërkohë që në 8 vite kemi lëvizur pak ose aspak në fushat kryesore”, u shpreh Tabaku.

Më tej, Tabaku renditi disa nga gjetjet e progres-raportit që duhen adresuar në të ardhmen dhe shtoi se mazhoranca duhet të tregojë me vepra se qëndron pas vlerave europiane.

“Vlera europiane për mua është dhe mosvjedhja e të dhënave personale të 900 mijë shqiptarëve dhe që më tej ngriti një sistem patronazhimi në nivel kombëtar, që në raportin e ODIHR u fshikullua si një shkrirje e shtetit me partinë. Për çdo vend me një sens minimal demokracie, nuk do të ishim duke diskutuar për përdorimin e fondeve për të blerë votën sikundër raporti i OSBE-ODIHR raporton. Aq më tepër sot ku ne jemi dëshmitarë që për shumë më pak se kaq kryeministra janë dorëhequr”, tha mes të tjerash Tabaku.