Gjykata e Arbitrazhit e Organizatës së Kombeve të Bashkuara mund të marrë në shqyrtim një padi të ngritur nga kompania italiane, Valeria Srl ndaj shtetit shqiptar, megjithëse Ministria e Financave deklaroi në fillim të këtij viti se kjo kompani ishte tërhequr nga padia.

Kompania ka paditur Ministrinë e Bujqësisë që në vitin 2018 për ndërprerjen e një kontrate për kultivimin e farërave, fidanëve dhe fruta-perimeve në zonën e Lushnjes, ku ushtroi aktivitetin nga viti 1993, deri në vitin 2018 përmes kompanisë “Agrogosë”.

Për shkak se në proceset e arbitrazhit informacionet para dhënies së vendimit nga gjykatat janë hermetike, pak detaje ka mbi rrjedhën e këtij procesi gjyqësor. Mbetet e panjohur shuma e pretenduar financiare nga kompania italiane, por nga arbitrazhet e këtij lloji, si rasti i Francesco Becchetti-t sugjeron se shifra që mund të jetë disa miliona euro.

Sipas “Global Arbitration Review”, një agjenci e zëshme lajmesh që lidhen me gjyqet e arbitrazhit, gjykata e OKB-së, UNICTRAL (United Nations Commission on International Trade Law) ka pranuar të dëgjojë pretendimet e kompanisë italiane për dëmin financiar, por ka rrëzuar pretendimin e saj për kundërshtimin e revokimit të një koncesioni mbi një hapësirë prej qindra hektarësh tokë në Lushnje, koncesion i dhënë para vitit 1996, kohë kur ka hyrë në fuqi marrëveshja dypalëshe e tregtisë mes Shqipërisë dhe Italisë.

Kjo marrëveshje është baza ligjore mbi të cilën ka ngritur pretendimet e saj në arbitrazh kompania italiane. Megjithëse vendimi për të nisur një proces arbitrazhi pritet të merret nga gjykata, deri më tani padia i ka kushtuar shtetit shqiptar rreth 800 mijë euro, që janë shpenzime për avokatët.

Në shkurt të këtij viti, Ministria e Financave dhe Ekonomimsë deklaroi se Ministria e Bujqësisë kishte arritur një marrëveshje me kompaninë italiane, “Valeria Srl”, duke shtuar se kjo kompani ishte tërhequr nga padia dhe po procedohet për një marrëveshje mirëkuptimi.

Sipërmarrja e dështuar e Valeria Srl në Shqipëri

Kompania italiane erdhi në Shqipëri në vitin 1993, kur mori në zotërim një pjesë të aksioneve të kompanisë “Agrigosë Shpk”, në atë kohë me seli në Kavajë dhe ku ortaku tjetër ishte shteti shqiptar përmes Ministrisë së Ekonomisë.

Objekti i kompanisë ishte prodhimi i bimëve të fushës me teknologji moderne, transformimi industrial, konservimi, magazinimi në frigoriferë dhe impiante speciale, import-eksport, tregti me shumicë e pakicë të produkteve bujqësore, blegtorale, zhvillimi i zooteknikës, investime turistike, etj.

Në maj të 2005-s, shoqeria “Valeria Italia Srl” bëhet zotëruese e një pjese të kapitalit të barabartë me 82.7 për qind të aksioneve, ndërsa shteti shqiptar zotëronte pjesën tjetër tyre.

Më 23 qershor 2014, sipas ekstraktit historik të depozituar në QKR është mbajtur një mbledhje e asamblesë së ortakëve, ku është vendosur shitja e aksioneve të kompanisë “Valeria Srl” te shoqëria Mercator-A, që vetë zotërohej nga “American Capital”. Po në të njëjtën mbledhje është pranuar dorëheqja e administratorit italian të “Agrogosë”, Michele Cicella, si dhe ky i fundit është “amnistuar” nga çdo përgjegjësi për keqmenaxhimin. Administrator i ri i kompanisë caktohet Maksim Caslli.

Të gjitha vendimet e kësaj Asambleje janë kundërshtuar nga Ministria e Ekonomisë në atë kohë, me argumentin se shoqëria “Agrigosë” ishte paditur nga shteti shqiptar në gjykatat shqiptare për mospërmbushje të detyrimeve kontraktore dhe deri në një vendimmarrje të formës së prerë nga ana e gjykatave nuk duhej kryer asnjë transaksion./SI