Pas publikimit të lajmit që qeveria britanike po harton një ligj për të rikthyer menjëherë mbrapsht emigrantët e paligjshëm shqiptarë që shkojnë në ishull, ka reaguar kryeministri Edi Rama.

Reagimi i kryeministrit ka ardhur edhe pas deklaratave të Ministres së Brendshme britanike.

Sipas planit të qeverisë britanike, emigrantët shqiptarë do të kthehen brenda disa ditësh pas në vendin e tyre që të mos kenë kohë që të kërkojnë azil, pasi Shqipëria konsiderohet si një vend i sigurt dhe emigrantët nga ky vend nuk mund të përfitojnë statusin e azilantit, vetëm në raste shumë të veçanta.

Ndërsa ministrja e brendshme britanike Suella Braverman është vendosur në syrin e ciklonit dhe po kritikohet ashpër pasi e përshkroi mbërritjen e azilkërkuesve në vend si një ‘pushtim’ kriminal.

Rama thotë se “Britania e Madhe duhet të luftojë bandat kriminale të të gjitha kombësive dhe të ndalojë diskriminimin e shqiptarëve për të justifikuar dështimet e politikave të saj”.

Por Rama tha se “shënjestrimi i shqiptarëve (siç disa bënë turpërisht kur luftonin për Brexit) si shkakun e krimit në Britani dhe problemet në kufi, është retorikë e lehtë, por injoron një fakt me peshë të rëndë. Të përsëritësh të njëjtat gjëra dhe të presësh të njëjtin rezultat është çmenduri. Cit. Ajnshtajni”.

“70% e 140 mijë shqiptarëve që janë transferuar në Mbretërinë e Bashkuar jetonin në Itali dhe Greqi. 1200 prej tyre janë biznesmenë. Shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar punojnë fort dhe paguajnë taksat. Mbretëria e Bashkuar duhet të luftojë bandat kriminale të çdo lloj kombësie dhe të ndalojë diskriminimin e shqiptarëve si justifikim për politikat e dështuara”, shtoi kryeministri përmes një serie postimesh në Twitter, në gjuhën angleze.

“Shqipëria është një shtet i NATO-s dhe po negocion për t’u anëtarësuar në BE. Është gjithashtu një vend i sigurt origjine. Kur Gjermania kishte problem të ngjashëm shtrëngoi sistemet e veta. Mbretëria e Bashkuar mund dhe duhet të bëjë të njëjtën gjë, jo të përgjigjet me retorikë krimi që përfundon me ndëshkimin e të pafajshmëve. Shqipëria nuk është një vend i pasur dhe për një kohë shumë të gjatë ka qenë viktimë e perandorive, nuk kemi pasur kurrë tonën. Kemi për detyrë që të luftojmë krimin në vendin tonë dhe po e bëjmë me vendosmëri, gjithashtu duke bashkëpunuar me të tjerët. Gati për të bashkëpunuar më ngushtë me Mbretërinë e Bashkuar, por faktet janë vendimtare. Po kështu edhe respekti reciprok”, theksoi Rama.