Partia Demokratike do të zgjedhë përmes primareve kandidatët që do të paraqesë në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023. Vëmendja më e madhe shkon për bashkinë e Tiranës.

Socialistët do të paraqiten në garë me kryebashkiakun në detyrë, Erion Veliaj, i cili kërkon një mandat të tretë. Ndërsa në PD, të paktën deri tani, janë 3 kandidatë që do të garojnë fillimisht me njëri-tjetrin para se të përballen me votën qytetare.

Por kush janë 3 kandidatët që kanë shpallur deri tani kandidaturën e tyre për bashkinë e Tiranës, dhe cilat janë pluset dhe minuset e tyre.,

Belind Këlliçi: Ka lindur më 25 janar 1987 në Tiranë. Belind Këlliçi ka kryer studimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Coppin State University, ku është diplomuar për Shkenca Menaxhimi. Këlliçi është futur në Partinë Demokratike në fillimisht si anëtar i thjeshtë i Forumit Rinor të Partisë Demokratike dhe më pas në Partinë Demokratike.

Në vitin 2015, ai garoi për të marrë drejtimin e Forumit rinor të PD-së dhe u votua më shumë se 10 000 anëtarë duke u bërë kreu i FRPD. Po në këtë vit, Këlliçi u bë anëtar i kryesisë së PD-së. Në shkurt të vitit 2021, kryetari Partisë Demokratike, asokohe Lulzim Basha, i dha detyrën e drejtuesit politik të fushatës në Qarkun e Tiranës dhe një muaj më pas, Belind Këlliçi u emërua nga Partia Demokratike si kandidat për deputet të qarkut Tiranë.

Në zgjedhjet e 25 prillit 2021, Këlliçi u zgjodh deputet i Partisë Demokratike për Qarkun Tiranë, ku theu herësin dhe grumbulloi 11 851 vota preferenciale.

Pas ndryshimeve të PD-së, më 30 gusht 2021, Belind Këlliçi u zgjodh Sekretari i Departamentit të Emigracionit dhe Diasporës. Pas përçarjes në PD, Këlliçi u bashkua me grupimin “Berisha” dhe ishte pjesë e Komisionit të Rithemelimit. Për zgjedhjet vendore të vitit 2023, Këlliçi ishte kandidati i parë që bëri prezantimin për t’u bërë pjesë e primareve të Partisë Demokratike për të garuar për drejtimin e Bashkisë Tiranë. Plusi i tij është se duket se ka mbështetjen e elektoratit konservator të PD-së, por si figurë e theksuar partiake, nuk duket se ka mbështetjen e elektoratit gri.

Gert Bogdani: Ka lindur më 7 korrik 1980 në Tiranë. Studimet i përfundoi në Universitetin Politeknik të Nju-Jorkut për shkenca kompjuterike. Karrierën politike e fillon në vitin 2007 ku kandidon me Partinë Demokratike për Kryetar të Njësisë Bashkiake nr. 10 Tiranë, garë të cilën e fiton. Gjatë kësaj kohe vazhdon edhe aktivitetin si zëdhënës politik i PD-së.

Në vitin 2009, Gerti Bogdani kandidon në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009 dhe zgjidhet deputeti më i ri në Kuvendin e Shqipërisë. Nga viti 2009 deri në vitin 2013, ai mbajti postin e Kryetarit të  Forumit Rinor të Partisë Demokratike. Me pas Bogdani u zgjodh edhe si anëtar kryesie kur PD-ja drejtohej nga Lulzim Basha.

Pas përçarjes së PD-së, Bogdani nuk doli publikisht që të mbante një qëndrim se cilit grupim i përkiste, deri para disa javësh ku u shfaq në një takim me kreun e PD-së, Sali Berisha. Bogdani në krahasim me Këlliçin dhe Alimehmetin duket si kandidati më i dobët në garë, pasi nuk ka mbështetje të madhe brenda selisë blu.

Ilir Alimehmeti: Është kandidati i tretë dhe më i fundit që shpalli kandidimin e tij për primaret. Ai nuk ka një karrierë të mëparshme në Partinë Demokratike personalisht, por familja e tij po. Prindërit e tij kanë shërbyer si deputetë dhe këshilltarë bashkiakë në Tiranë. Ilir Alimehmeti është 43 vjeç, ai është me profesion mjek dhe është pedagog në Fakultetin e Mjekësisë. Alimehmeti mori vëmendje të madhe mediatike në 2 vitet e gjatë të pandemisë së koronavirusit, si epidemiolog.

Në përplasjen brenda Partisë Demokratike, ai zgjodhi të mbështesë Sali Berishën. Alimehmeti u zgjodh anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, më 30 prill 2022. Alimehmeti ndryshe nga Këlliçi duket se nuk ka mbështetjen e strukturave konservatore të PD-së, por gëzon mbështetjen e elektoratit jopartiak, elektoratit gri.