Situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor, kryeministri Edi Rama e sheh shumë me ndryshe nga sa ishte kur këto vende nuk e kishin njohur bashkëpunimin në rajon. E këtë sheh dhe tek fakti se pavarësisht tensioneve që lindin herë pas here në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë ato e gjejnë një zgjidhje sepse tanimë ka një komunikim mes palëve.

“Tensionet janë pjesë e atij procesi. Nuk mund të presim që një proces paqeje të përparojë qetësisht dhe pa tensione. Këtu lajmi i mirë është që tensionet lindin po edhe treten pasi të dy palët sidoqoftë komunikojnë dhe tentojnë të gjejnë zgjidhjet e nevojshme për njerëzit. Pra nuk është më si në të shkuarën. Ka një diferencë të madhe pasi tashmë kemi bashkëpunim rajonal, me takime e mbledhje të shumta, vajtje-ardhje, samite të çdo lloji. Sigurisht që Kosova është problemi i fundit, ende i hapur dhe i pazgjidhur nga shpërbërja e Jugosllavisë e pa dyshim, njohja e Kosovës si shtet sovran e i pavarur nga Serbia është kapitulli i fundit i historisë plot dhimbje të shpërbërjes së Jugosllavisë”, tha Rama në një intervistë dhënë për televizionin publik spanjoll.

Kryeministri e mirëkupton vendimin e Spanjës për të mos njohur Kosovës e që nuk lidhen aspak me realitetin e ri te shpalljes se pavarësisë nga ky shtet, por me problem e saj të brendshme.

“Duhet të jemi në fakt shumë të qartë këtu, pasi nuk ka asnjë  lloj krahasimi të mundshëm ndërmjet problemeve të brendshme të Spanjës, lidhur me lëvizjet independentiste apo separatiste dhe ndarjes së Kosovës nga Serbia”.

Sa i takon integrimit përsërit se tani e ka radhën unioni të flasë pasi vende e rajonit që presin hapjen e negociatave, përfshirë Shqipëria i kanë përmbushur rekomandimet, ndërsa shton se influencat e mundshme të palëve të treta në këtë proces nuk e shqetësojnë vendin tonë.

“Shqipërinë të paktën, nuk e shqetësojnë këto influenca të mundshme pasi për ne Evropa është besimi ynë dhe e ardhmja në Bashkimin Evropian është zgjedhja jonë e lirë”.

Vizita e Ramës në Spanjën javën e shkuar shënoi dhe vizitën e parë zyrtare të një kryeministri shqiptare dhe pas nënshkrimit të disa marrëveshjes me kryeministrin Pedro Sanchez, Rama sheh shumë mundësi bashkëpunimi mes dy vendeve.