Kryeministri Edi Rama ka përgënjeshtruar zërat që flasin për një marrëveshje të mundshme mes qeverisë shqiptare dhe asaj greke për sa i përket çështjes së kufirit detar në pjesën e Jonit.

Nga Vlora, ku ishte i pranishëm në ceremoninë përkujtimore të “Luftës Kombëtare të Vlorës 1920” Rama u ndal të fliste me gazetarët për çështjen e detit.

Ai hodhi poshtë pretendimet dhe kërkesën për informacion të Presidentit Ilir Meta dërguar më 31 gusht Ramës dhe kryetarit të parlamentit Gramoz Ruçi duke këmbëngulur se nuk ka marrëveshje.

“Jam i bindur që presidenti ia fut kot, sepse po të kishte një marrëveshje patjetër që Presidenti do të kishte dijeni për këtë dhe nuk mund të ketë marrëveshje pa dijeninë e tij. E përsëris edhe një herë për ata që duan, ata që bien në grepat e atyre që bëjnë politikë me kap çfarë të kapësh se, s’ka asnjë marrëveshje, negociatat janë ndërprerë që para ndryshimit të qeverisë në Greqi, pa një përfundim. Me qeverinë e re greke nuk kemi rifilluar negociatat dhe nuk kemi një marrëveshje për momentin,” – sqaroi Rama.

Kryeministri këmbënguli se çështja në fjalë ka pasur zanafillë nxjerrjen nga konteksti të deklaratave nga qeveria greke, kjo për synime politike të brendshme në Shqipëri.

“Ngatërresa e një deklarate të kryeministrit të Greqisë në parlamentin grek që nuk ka lidhje fare me Shqipërinë, por ka të bëjë me konceptin e së drejtës për t’u shtrirë 12 milje aty kur lejohet nga territori gjë që në zonën mes nesh dhe Greqisë kjo gjë nuk është e mundur fizikisht, është kthyer në një karrem për të peshkuar kë mund të peshkojë, por faktikisht është një histori qesharake dhe e turpshme për ata që e ushqejnë, është një gjë nga hiçi se s’ka si të bëhet një marrëveshje kur s’ka letra, vula, procedura, sepse marrëveshja shkon nga grupi negociator në qeveri, nga qeveria te Presidenti, ky ka thënë se do ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese dhe pastaj nga Gjykata Kushtetuese ratifikohet në parlament. Kushdo që e ha këtë karrem është komplet trupeshk,” – theksoi kryeministri.