Në mars të këtij viti kryeministri Edi Rama bënte thirrje që të mos përdorej maska. Në tetor gjithçka ndryshoi, pasi qeveria vendosi të bënte të detyrueshme vendosjen e maskës edhe në çdo ambient.

Gjatë emisionit “Opinion”, kreu i qeverisë u pyet se përse ka ndryshuar mendim.

Rama u shpreh se është Komiteti Teknik i Ekspertëve që e ka vendosur këtë gjë dhe ai thjesht ka dëgjuar këshillat e tyre.

“Cili nga dy Antony Fauçit është i vërteti po të nisemi me këtë logjikë. Antony Fauçi është virologu dhe epidemilogu sot i botës dhe Amerikës. Të njëjtën pyetje që më bëni mua, ia bënë edhe atij pasi ishte ai që në fillimet e epidemisë tha maskat nuk janë themelore, për njerëzit, por për stafet mjekësore. Sot është po ai që predikon mbajtjen e maskës me detyrim. Nuk është çështje inkoherence nga ana ime se unë jam askushi në këtë mes. Unë jam personi që dëgjoj këshillat dhe marr orientimet nga ekspertët. Thjesht i mësoj mirë dhe pastaj i transmetoj mbi bazën e vendimeve që marrim”, tha Rama.

Kryeministri siguroi se Komiteti Teknik i Ekspertëve është autoriteti ligjor që udhëheq gjatë këtyre vendimeve. Kreu i qeverisë tregoi edhe pse u mor vendimi për mbajtjen e maskave në  çdo ambient.

“Mbas hapjes ishte e pritshme që numrat do të rriteshin dhe maska sidomos në vende si i yni ku distanca sociale nuk është si në Suedi që është diçka natyrale dhe nuk e kanë fare shqetësim që të rrinë 7 metra larg njëri-tjetrit, maska është një kujtesë që maska duhet mbajtur sepse ka një problem”.

Sa i përket maskave të tij, Rama tha se i bën vetë.

“Unë maskat e mia i bëj vetë, personalisht nuk më kushtojnë asnjë lek. Është një pëlhurë që kthehet në maskë”, tha Rama.