Kryeministri Edi Rama, ka folur sërish për mediat ndërkombëtare për çështjen e strehimit të afganëve.

Në një intervistë për prestigjiozen britanike “The Sunday Times”, Rama i krahason afganët me shqiptarët e 30 vite më parë.

Po ashtu Rama shprehet me ironi se  evropianët e njohin luftën vetëm përmes Netflix-it, kurse për shqiptarët gjithçka ishte shumë reale.

“Ikja nga atje është shumë e vështirë. Nuk ka një qendër të përbashkët operacionesh, nuk ka asgjë, vetëm secili për veten. Ende nuk ka asnjë mënyrë për t’i kaluar njerëzit nëpër porta nëse nuk jeni një shtet i madh, madje edhe për shtetet e mëdha duket mjaft e çrregullt. Kjo është arsyeja pse të gjitha organizatat janë të bllokuara.

Shtetet e mesme ose të vogla nuk janë në gjendje të evakuojnë njerëzit siç ishte planifikuar. Ndryshe nga shumë vende të tjera evropiane“, tha ai.

“Për shqiptarët konflikti, uria dhe shpërngulja ishin përvojë në kujtesë. Për ne, lufta ka qenë shumë e vërtetë. Ne kemi pasur luftë në derën tonë. Ne kemi parë njerëz të vrarë dhe kemi pasur njerëz që njohim që janë vrarë. Për ne është shumë e qartë”, tha Rama.

“Ne kemi qenë afganë tre dekada më parë kur ikëm nga ferri ynë. Pra, tani ata janë shqiptarët e 30 viteve më parë dhe ne duhet të jemi atje si të tjerët për ne”, u shpreh kryeministri.