Shërbimi Informativ i Shtetit ka publikuar të dhënat mbi korrupsionin. Gjatë punës në vitin 2020, SHISH njofton një rritje të nivelit të korrupsionit në gjykata, prokurori dhe në administratën publike.

As karantina nuk e frenoi korrupsionin në Shqipëri. Shërbimi Informativ i Shtetit, në raportin e tij për 2020-n, thekson se përgjatë vitit të shkuar ka pasur një ndërveprim të administratës shtetërore me sistemin e drejtësisë në kryerjen e korrupsionit: “Korrupsioni ka vijuar në sistemin e drejtësisë, por edhe në disa sektorë të administratës shtetërore, ku konstatohet se palët ndërveprojnë të nxitura nga interesi i përfitimit të përbashkët”.

Alarmant mbetet fakti se elementë të sistemit të drejtësisë po e shfrytëzojnë kohën para vetting-ut për të mbushur xhepat, të vetëdijshëm se nuk kanë shanse të kalojnë testin e trefishtë: “Elementë të veçantë të këtij sistemi, të cilët janë në proces verifikimi të pastërtisë së figurës në kuadër të procesit të Vetting-ut, po e shfrytëzojnë këtë periudhë në funksion të përfitimit personal, duke shpërdoruar detyrën kundrejt ndërveprimit korruptiv, nëpërmjet dhënies së vendimeve gjyqësore në kundërshtim me parashikimet e akteve ligjore në fuqi”.

SHISH njofton gjithashtu se po përdor metoda të reja teknologjike në veprimtarinë e tij, ndërsa sulmet kibernetike ndaj këtij institucioni nuk kanë munguar: “SHISH-i ka aplikuar metoda dhe teknologji të reja në mbrojtjen e perimetrave dhe parandalimin e çdo situate katastrofike nga sulmet kibernetike, referuar edhe kërcënimeve të shfaqura rishtazi edhe si pasojë e situatës pandemike. Gjatë vitit 2020, krahasuar me vitin 2019, është hasur një aktivitet i shtuar keqdashës dhe kërcënues drejtuar infrastrukturës publike të SHISH-it”.

Në 2020, volumi i punës së SHISH është rritur me 13%, ku në krye të listës së institucioneve që ka marrë më shumë informacion është kryeministri Edi Rama, ndjekur më pas nga Presidenti Ilir Meta.