Nga Fatbrdh RUSTEMI
I
Rishikimi i historisë dhe i figurave historike ka qenë dhe mbetet një nga temat më të debatueshme, për fat të keq, e dominuar prej kritizerëve, ku vihen re dy prirje: ajo e “çmitizimit” apo e “idealizimit” për qëllime propagandistike, si dhe ata pak, që e çojnë hakun tek i zoti, ku spikat, Ilir Ikonomi, autor i librave të mirëpritur: “Pavarësia-Udhëtimi i paharruar i Ismail Qemalit”, “Pushtimi”, “Faik Konica-Jeta në Uashington”, “Esat Pashë Toptani-Njeriu, Lufta, Pushteti”, “Fan Noli-Apostulli”, si dhe shumë postimeve me interes publik. Profesor Kristo Frashëri ishte i pari, që, vuri në dukje “stilin tërheqës” të tij, ndërsa Bernd Fischer pikas: “Z. Ikonomi di ku ta vendos kufirin, di të mbajë distancë dhe të mos nxitohet në opinione.” Që t`i kërkosh një shqiptari të vërë kufirin tek thana dhe të mbajë distancë është gjëja më e lehtë për të, ama, janë të rrallë ata, që s`bëhen prehë e opinioneve, fuqia e të cilëve sot llogaritet me pushtetin e pestë. Që të ndodh kjo, duhet të kesh mendimet e tua, që marrin jetë në vartësi të fakteve, duke respektuar detyrimet ndaj së vërtetës. Thënë me fjalët e Frang Bardhit në apologjinë e tij për Skënderbeun: “duke patur më tepër parasysh të vërtetën se sa atdheun”. Pra: të ruash masën dhe të jesh objektiv. Masa ruhet, kur në morin e fakteve arrin të përzgjedhësh më të përshtatshmin, i cili bëhet pjesë e reaksionit zinxhirë, ndryshe kthehesh në një magazinë pa inventar. Procesi i kërkimit është njësoj për të gjithë: qofsh ti i NASA-s, shpikës i teknologjisë, arkeolog apo historian, duke mos përjashtuar dhe shkrimtarin. (Skulptori që ngriti statujën e Krishtit në Rio De Zhaniero të Brazilit u bë besimtar në mbarim të veprës së tij.) I thashë gjithë këto, se libra të këtij niveli, nuk është e lehtë të shkruhen, ngaqë me to: thyhen tabu, dogma, korniza, ku dergjen ikona që u kanë skaduar afatet. Mos kujtoni se është e lehtë, që fletë të zverdhura nga vitet nëpër arkiva e copa gazetash të pluhurosura: t`i kthesh në thesare.
Në librat e Ilir Ikonomit nuk njihesh vetëm me figurat qendrore: Faik Konicën, Esat pashë Toptanin dhe Fan Nolin, por, në to: zbulon dhe figura të tjera, sekondare në dukje, gati dhe figurante, por me kontribute në historinë tonë, sikurse zgjeron njohuritë e tua për historinë e popullit tënd në dritën e fakteve dhe dëshmive, që hedhin dritë në terrin informativ. Autori pranon se në shkrimin e librave të tij e ka ndihmuar dhe të qënit gazetar, jo domosdoshmërisht e dobishme në shkrimin e një monografie do thosha, pasi stili gazetaresk përgjithësisht e thanë frazën. Ajo çka konstatoj tek Ilir Ikomomi, është pasioni, i cili gjeneron dhuntitë e epërme të njeriut të kultivuar, i përfshirë në një mision, ku urdhërat i merr nga vetja. Monografitë duan një energji tjetër nga ajo e një rrëfyesi ngjarjesh. Kronikani është dëshmimtar ngjarjesh, ndërsa hartuesi i një monografie mund ta deklasifikojë kronikanin si një dëshmimtar të rremë. Tjetër të ngresh diçka me vinç dhe tjetër me helikopter. Që të portretizosh një figurë historike të njohur, ku kanë shkruar dhe të tjerë për të, një figurë me ndikim në shoqëri dhe në historinë e vendit, vështirësit shtohen, për shkak të teritoreve të pushtuara nga të tjerët. Krahasuar me Esat Pashë tradhëtarin, Faik bej Konicën e censuruar, Noli ishte një figurë e preferuar e regjimit komunist. Kujtonim se e njihnim, por, duke lexuar “Apostullin”: paska akoma më për t`u ngjitur në rrugën e vështirë drejt njohjes. Pikërisht Nolit të njohur autori nuk i kushton vetëm një libër, kështu që na duhet të presim për ta thënë fjalën e fundit për të.
Në historinë e popullit shqiptar ka patur dy protagonistë: paria allaturka dhe elita allafrenga. Esat Pashë Toptani i përket parisë, ndërsa Faik Konica dhe Fan Nolin elitës. Tek Ismail Qemali kemi pushtetarin dhe intelektuali, i sulmuar nga të dy krahët, sikurse do e shihni dhe në libër. (Nëse Ahmet Zogolli u vetëshpall mbret, apostulli u vetëquajt peshkop?!) Parinë dhe elitën, Konica, i përshkruan si të tillë: “Ndonjë salepçi mbret, që rrëmben fuqinë në rrëmujë e sipër edhe si i dehur nga triumfi i papritur, vërtit kërbaçin dhe kërkon gjak.” Ndërsa një apostull të kulturës sonë do e quante: “Një lartësi e përulur”. Në kuptimin e përulësisë dhe jo të nënshtrimit. Despotët përherë kanë synuar të gjunjëzojnë apostujt, si jë betejë që nuk rresht. (Enver Hoxhës i rrëzohet shtatorja dhe Lasgushit i ngrihet.) Nga libri i I. Ikonomit mësojmë se Noli e ka quajtur Faik bej Konicën: “patric si nga sëra, ashtu dhe nga kultura”, (beu konvertohet në princ), ndërsa Konica do e pèrmend si një “muk të shënuar”. Noli e thellon simpatinë: “Faik Konica mund të ketë të metat e tij, por as armiqtë nuk ia mohojnë integritetin e karakterit dhe aftësitë e larta intelektuale.” Po ky Nol shkroi poezinë: “Ky Faiku faqe ndërron/Njëherë shan dhe pastaj lëvdon?!” Në leximin e librit, hera-herës do të kujtohet kjo pyetje retorike e apostullit: “Njeriu mund të pyes; ku vanë instiktet kalorsiake, që ishin një kohë kryelartësia e krishtërimit?”
Noli erdhi në Amerikë si udhëtar i klasit të dytë, duke mos i përkitur turmës, e cila endej në katet e poshtme të anijes. Në klasin e dytë nga xhepi, por në lozhë nga vlerat. Shqiptarët e Misirit në Egjypt, kryesisht Athanas Tashko dhe Jani Vruho, që kishin hotele dhe restorante, besonin se Noli do kthehej në një bekim për shqiptarët e Amerikës. Vjershëtori dhe mbledhësi i folklorit Spiro Dine i dhuroi 15 lira nga 36 që kushtonte i tërë udhëtimi. Gjatë udhëtimit, që zgjaste 16 ditë, shtrirë në një poltron Noli lexonte Niçen. Ndër udhëtarët ngjall interes, të cilëve u përgjigjej në çdo gjuhë që e pyesnin. Ata s`dinin gjë për Shqipërinë e “zululandit”. Me sy të përlotur Noli i drejtohet qiellit: “Dhe në u shurdhove, Perëndi, do vijmë gjer në fronin tënd të të lëkundim që të zgjohesh dhe të na dëgjosh: Ardhi koha!” Të dy palët parathonë një fat: miqtë parashikuan ardhjen e apostullit dhe Apostulli fatin e atdheut, duke shkruar dhe vargjet: “Nëno, mos kij frikë/se ke djemtë në Amerikë!” Një prej djemëve të Amerikës është dhe Ilir Ikonomi.

Në foto Ilir Ikonomi

-vijon-