Mendime rreth vëllimit me tregime dhe novela “Djajtë e qytetit të shenjtë”

Nga Grigor JOVANI

 

Është një monopat i sigurt në Letërsi, që ta zgjat pak më shumë udhëtimin drejt destinacionit, por shumë i suksesshëm ama, i provuar në sa e sa raste. Ai i daljes së autorit në prozë, pasi ka ecur për një kohë të konsiderueshme në shtigjet poetike. Ky binom krijimtarie do të ishte akoma më i suksesshëm, nëse do të ishte trinom, nëse në prozë dilje, përveç poezisë, edhe nga publicistika, nga gazetaria.

Vasil Klironomi hyri tashmë në prozë pas një periudhe të gjatë dhe të suksesshme të lëvrimit të binomit të parë, poezi-prozë. Domethënë, ky krijues vjen në gjininë e prozës si poet, duke i transplatuar asaj veçoritë më të mira dhe më dalluese të poezisë që ka shkruar për kaq kohë. Rezultati: kemi të bëjmë me një prozë që i ngjan shumë poezisë. Tregime të shkurtra, si vjershëza filozofiko-lirike, personazhe jetësorë që shfaqen të portretizuar dhe që na duket se ritakojmë apo ndeshim në rrugë njerëz që i kemi njohur më parë. Nuk gabohemi, janë ata njerëz të figurshëm që kanë banuar poezinë e Klironomit. Ky kalim artistik nga një botë letrare tek tjetra është i suksesshëm, sepse baza është e sigurt, udha është e sprovuar dhe përfundimi nuk mund të ishte ndryshe. Në botën shqiptare të letrave Klironomi njihet tashmë si poet mjaft interesant, i veçantë, me botën e tij krijuese. Poet i figurshëm, spontan, i një metrike të veçantë poetike, me prirje kah temave si të thuash “të fosilizuara” të mitologjisë, kryesisht asaj helene, por që gjallërohen, marrin jetë dhe shpërndajnë ide dhe mendime, nëpërmjet aktualizimit të tyre. Modernιa tek lëvrimi i historisë së njeriut dhe kombeve, ja, kjo është e veçanta e poezisë së Klironomit. Disa vëllime poetike, në shqip dhe në greqisht, e kanë vërtetuar këtë.

U zgjata pak me komentin rreth poezisë së tij, ngaqë ajo lidhet ngushtë dhe i paraprin prozës që shkruan tani dhe që sapo e shpalli para publikut nëpërmjet vëllimit të tij të parë me tregime dhe novelë, “Djajtë e qytetit të shenjtë”.

Ballafaqohesh qysh në fillim në këtë libër me një risi artistike. Lexon tregime të shkurtra, si tek O’Henri apo Gorki. Ngatërrohesh fillimisht: ç’janë këto rrëfime të shkurtra, skica letrare apo tregime? Janë diçka më shumë se skica apo proza poetike dhe ngjan se diçka i lënë mangët tregimit. Është e keqe kjo? Jo. Autori ka të drejtën e origjinalitetit të tij: i heq prozës së shkurtër, tregimit, dhjamin e tepërt dhe i shton skicës shtrirjen më të gjerë të një tregimi, personazhet e karakterizuar, atmosferën jetësore, nënkuptimet që lë pas leximit. Pra, kemi të bëjmë me një tregim ala Klironom, që të paktën unë nuk e kam ndeshur kësisoj në prozën shqipe: diçka më shumë se skica poetike, diçka më pak se tregimet e stërzgjatura. Ia arrin qëllimit autori? Në më të shumtën, po. Kështu, kemi tregime shumë të bukura të këtij stili, si “Sulua”, “Këpuca e Kostaqit”, “Kanarina”, “Një… me një” e shumë të tjera. Po ta zhvillojë më tej këtë tendencë dhe në mënyrë më të larmishme këtë risi që sjell në prozën e shkurtër, Vasil Klironomi nuk do të jetë kalimtar në letërsi. Do të mbetet me diçka të tijën. Jam i sigurt për këtë. Por koha do ta vërtetojë. Të paktën, nisma është e mbarë.

Ç’gjë tjetër e bën të veçantë këtë prozë? Jeta, me tërë larmishmërinë e saj! Në letërsinë e këtij autori jeta gjëllonte edhe më parë, në poezi, sikundër e thashë më sipër, por tashmë në prozë ajo merr trajtën e saj shumëplanëshe. Pse e si ndodh kjo? Ngaqë këtë herë jetën e mbartin personazhet që dalin prej saj. Ata, njerëzit e Klironomit, janë pasuria më e madhe e letërsisë që shkruan ai. Të gjithë, gati të gjithë, nuk janë të fantazuar. Janë njerëz që i ka ndeshur ai në jetë, duke jetuar me ta, që i ka dashuruar dhe urryer, që i janë bërë pjesë e rrugëtimit. Nuk kishin si të mos hynin të gjallë dhe të pa tjetërshueshëm edhe në letërsinë që ai shkruan. Fantastikja është që këta njerëz i njeh edhe lexuesi. Ngaqë janë të besueshëm, sepse janë të së përditshmes dhe të së shkuarës së të gjithëve. Të mbeten në mendje personazhe si Fidhia, e shoqja e Kozmait, Dapia, gjenerali, Aristidhi e shumë të tjerë. Aq shumë të impresionojnë, saqë tani ata janë bërë njerëz edhe të së përditshmes tënde. Je njohur përgjithmonë me ta dhe përgjegjës për këtë pasuri që të është shtuar në jetë është Klironomi. Është fat të njihesh dhe të bashkëbisedosh me një shkrimtar të tillë.

Një gjë tjetër që më ka bërë shumë përshtypje është sinqeriteti gati fëminor i autorit, gjatë rrëfimit të tij artistik. Pikërisht këtu është më i suksesshëm se në poezi: të qenit vetvetja. Nëse në vargje herë-herë merr poza akademike, sidomos gjatë trajtimit të temave të vështira të antikitetit, ngaqë nuk është e thjeshtë të modernizosh dhe të aktualizosh një botë të heshtur, në prozë rrëfen si “gjatë një nate dimri rreth oxhakut”. Çfarë i ka barku, ia thotë pena. Është i drejtpërdrejtë, i sinqertë, jetësor, sepse në asnjë mënyrë nuk dëshiron të vejë maska, as të marrë poza. Jeta kjo është, do ta thotë ai me sa vërtetësi mundet dhe… kujt t’i pëlqejë! Këtë fenomen e ndeshim në më të shumtën e tregimeve të Klironomit. Por më dukshëm dhe më artistikisht vërehet tek novela e tij mjaft e arrirë “Takohemi të shtunën”. Mbase është e qëllimshme vendosja e saj në fund të vëllimit. Patjetër të lë një shije të mirë arti të vërtetë.

Lexuesi ndahet më këtë libër duke u ndjerë i ngopur. Me jetë dhe me art të shkruar. Në këtë libër autori është njeriu me intelekt, shkrimtari, i cili përjeton një botë të vrullshme dhe shumëplanëshe përreth tij. Suksesi është se pikërisht këtë botë i rrëfen edhe lexuesit. I ka armët e dukura. Talentin dhe origjinalitetin e tij të pa përsëritshëm.