Republikanët e indinjuar me aktakuzën ndaj Donald Trump po përshkallëzojnë betejën ndaj prokurorit që ngriti akuzë penale ndaj ish- presidentit. Ata po përpiqen që ta vënë në pozitë të vështirë prokurorin Alvin Bragg duke e paraqitur në mënyrë të rreme qytetin e Nju Jorkut, ku ai shërben, si një vend të mbizotëruar nga krimi.

Komisioni Juridik i Dhomës së Përfaqësuesve, i udhëhequr nga ligjvënësi republikan nga Ohajo Jim Jordan, po zhvillon një seancë dëgjimore të hënën në Nju Jork, pranë zyrave të Prokurorit të Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg.

Shumica republikane e komisionit thotë se takimi është shqyrtim i politikave të demokratëve që ata thonë se janë “pro krimit, kundër viktimave”. Anëtari tjetër republikan i komisionit, Andy Biggs, ligjvënës nga Arizona, shkroi në rrjetin social Twitter se prokurori Bragg “e ka kthyer qytetin e Nju Jorkut në një “shesh plehrash” dhe se “mungesa e ligjit është plotësisht jashtë kontrollit”.

Demokratët thonë se seanca synon të përforcojë zemërimin e konservatorëve ndaj zotit Bragg, prokurorit të parë afrikano-amerikan në Manhatan. Zyrtarët e qytetit të Nju Jorkut i kanë kërkuar ligjvënësit Jordan që të anulojë seancën.

“Ky është një kontribut për fushatën e zotit Trump”, tha kryebashkiaku i Nju Jorkut, demokrati Eric Adams për televizionin amerikan CNN të premten.

“Është me të vërtetë për të ardhur keq që të përdoren paratë e taksapaguesve për të bërë teatër”.