Imzot Arjan Dodaj, do të jetë Arqipeshkvi i ri i Arqidioqezës Tiranë-Durrës, duke zëvendësuar në këtë detyrë imzot George Frendon. Rrugëtimi i tij si klerik nisi rastësisht, ndërsa për mikrofonin e A2 CNN, Dodaj tregon detajet e formimit të tij pas largimit nga qyteti i origjinës, Laçi, rreth 30 vite më parë.

“Si shumë shokë të mi, jam larguar nga vendi me skaf, për të realizuar ëndrrat. Zoti më ruajti nga disa përvoja të caktuara apo miqësi. Duke ndenjur me një grup djemsh që shkonin në një famulli, ngadalë lindi te mua pikëpyetja mbi diçka që shkonte përtej materiales”, shprehet Dodaj.

Duke komentuar gjendjen e shoqërisë shqiptare, Dodaj sugjeron përqendrimin te edukimi dhe kultura si zgjidhje ndaj shumë problematikave: “Kemi nevojë që ta pasurojmë kulturën, pasi kultura pa njeriun nuk ndërtohet dot. Ne flasim shpesh për kulturën, por anulojmë njeriun”.

Politikën e sheh si pasqyrë të popullit, e për këtë kërkon nga shqiptarët rikthimin e vlerave të të parëve: “Shqiptari duhet të zbulojë sërish besimin te shqiptari. Ne e kemi aftësinë e fjalës së dhënë, të besës. Sot, nuk të pret në besë politikani, por vëllai ose miku. Nëse nuk kthehemi te vlerat morale, nuk mund të kemi arsye që të pretendojmë që dikush tjetër të na dalë zot”.

Emërimi i Dodajt ka bërë bashkë politikën, e cila njëzëri ka vlerësuar figurën e klerikut katolik, duke i uruar atij suksese.