Turqia nuk do të bëjë asnjë marrëveshje mbi çka i konsideron se janë të drejtat e saj në Mesdheun Lindor.

Duke folur nga Stambolli, ministri turk i Mbrojtjes u shpreh se Turqia mirëpret nismën e NATO-s për të pasur bisedime teknike me Greqinë, çka do të bënte të mundur uljen e tensioneve dhe shmangien e konfliktit në ujërat e Mesdheut.

Por, ai theksoi se Ankaraja është e vendosur të mbrojë interesat dhe të drejtat e saj.

“Kërkimi i një dialogu po perceptohet si një dobësi. Nga ana tjetër, ne do të mbrojmë të drejtat dhe interesat tona. Nuk do të bëjmë kompromis me asnjë pjesëz të të drejtave tona. Po paraqesim realitetin dhe matematikën.

Ne po kërkojmë të diskutojmë dhe negociojmë në këtë kuadër dhe së fundmi, siç e dini, pas bisedës së sekretarit të përgjithshëm të NATO-s me presidentin tonë, ka përpjekje për të filluar bisedime të nivelit ushtarak. Ne i mbështesim këto bisedime”, u shpreh Hulusi Akar, ministër i Mbrojtjes i Turqisë.

Kryeministri grek Micotakis është shprehur i gatshëm për dialog me Turqinë për të zgjidhur përplasjet territoriale në detin Mesdhe.

Por ai ka theksuar se lëvizja e parë në këtë drejtim i takon Ankarasë, e cila sipas tij duhet të heqë dorë nga kërcënimet.

BE ka shprehur solidaritet me Greqinë duke kërkuar që Turqia të mos ndërmarrë veprime të njëanshme, por të gjendet gjuha e dialogut pasi është e rëndësishme për paqen në rajon.

Tensionet mes dy shteteve u përshkallëzuan muajin e kaluar, pasi Turqia dërgoi një anije për kërkime për gaz në zonën detare mes Qipros dhe ishullit të Rodosit, për të cilën Greqia pretendon se i përket zonës ekskluzive ekonomike të saj.

Erdogan: Shpresoj që ata të mos paguajnë të njëjtin çmim si 100 vjet më parë

Pa përmendur Greqinë kësaj radhe, Presidenti turk Erdogan ka bërë një deklaratë provokuese lidhur me tensionet mes Athinës dhe Ankarasë për kërkimet për gaz në Mesdheun Lindor.

Në pamundësi për të qenë në ceremoninë e të diplomuarve të Universitetit të Mbrojtjes Kombëtare turke, Erdogan ka bërë një ndërhyrje duke folur në telefon me ministrin turk të Mbrojtjes.

Presidenti turk u shpreh se 100 vjet më parë, ata që sulmuan pavarësinë e Turqisë morën përgjigjen e merituar.

“Ata që sulmuan pavarësinë tonë 1 shekull më parë, populli turk i varrosi ose i hodhi në det. Shpresoj që ata të mos bëjnë të njëjtin gabim sot dhe të mos paguajnë të njëjtin çmim”.

Ndërkohë, Turqia ka njoftuar për një stërvitje ushtarake 5-ditore me ushtrinë e Qipros turke.