Kryeministri Edi Rama në një rrëfim ndryshe në emisionin “Opinion” në përballë gazetarit Blendi Fevziu ka treguar se kush kanë qenë heronjtë e tij në fëmijëri.

Rama tregon se kur ka qenë i vogël ka qenë i ndikuar dhe ka parë si heronj rilindësit kombëtar, ndërsa më vonë kur ka qenë në lice ka parë si heronj ata që kanë bërë historinë e artit.

Fevziu: Kush kanë qenë heronjtë e rinisë tuaj?

Rama: Heronjtë e mi si fillim kur kam qenë shumë i vogël kanë qenë heronjtë e rilindjes kombëtare, pasi në shtëpi kishim një album goxha voluminoz. Unë ende s’kisha mësuar të lexoja, por gjyshi e gjyshja m’i lexonin në vijimësi. Kështu arrita t’i mësoja përmendësh dhe kur vinin njerëz në shtëpi kisha shumë qejf të lexoja atë libër duke ndjekur radhët me gisht, por pa lexuar faktikisht. Pastaj më vonë kur isha në moshën e adoleshencës, në fund të 8-vjeçares më ka rënë në dorë një libër, unë lexoja në italisht në ato kohë që fliste për disa nga ata që Kalarli i quante si heronjtë e mendimit. Ishte shumë e bukur pasi Kararli thotë që historia e botës është biografia e njerëzve të mëdhenj. Aty ishin Profeti Muhamed, Napoloni. Shekspiri, Dantja.

Fevziu: Kush ishte mes tyre që të sugjestionoi më shumë?

Rama: Jo ishte në tërësi shumë sugjestionuese ideja që heroi është ai që ka energjinë krijuese të vështirësive. Madje Kararli thotë me të gjitha ato boshllëqet e tij morale. Pastaj në periudhën e liceut artistik unë isha shumë i fokusuar tek heroizmi në art tek heroizmi  në gjithë historinë e artit, tek njerëzit që në mënyrë heroike sollën ndryshime të jashtëzakonshme.

Marrëdhënia me pushtetin

Kryeministri Edi Rama pushtetit e konsideron një mjet për të arritur qëllimet e mira. Rama tregon se pushtetit nuk e ka parë kurrë si qëllim dhe shton se ka arritur në krye të piramidës qeverisëse duke ngjitur të gjitha shkallët.

Më tej në intervistë Rama shprehet se më i madh të jetë pushtetit aq më e madhe duhet të jetë dhe vetëdija për të qenë i përgjegjshëm.

Blendi Fevziu: Është shumë interesante, bëhen 30 vjet nga ndryshimi i sistemit. Lamë pas një periudhë 46-vjeçare të sundimit monopartiak dhe kemi hyrë në një epokë të re. Ju keni qenë  protagonist në këto 30 vite, direkt apo indirekt, përmes angazhimit  qytetar dhe angazhimit politik. Në fakt ku po kalkuloja dje, që prej vitit 1998 kur Fatos Nano iu ftoi në kabinetin e tij dhe deri sot ju keni qenë gjithmonë në pushtet, ndoshta vetëm 1 vit e gjysmë kur keni qenë kryetar i Partisë Socialiste nga viti 2011 në vitin 2013. Bëheni njeriu më jetëgjatë pas Enver Hoxhës, në pushtet nëse e quajmë kështu. Jo  ndoshta njeriu më i rëndësishëm i pushtetit, por vazhdimisht në pushtet. Çfarë është pushteti për ju?

Edi Rama: Së pari unë them që ka një ndryshim mes një karriere politike kur ngjit shkallë dhe kohës së qëndrimit në maj. Unë mendoj që…

Fevziu: Si është ky raport sipas jush?

Rama: Unë besoj se vitet e numëruara janë pak më ndryshe, pasi unë kam pasur një ngjitje me etapa. Ndërkohë për sa i përket pjesës së qëndrimit në krye janë  7 vite e 2 muaj. Ndërsa për sa i përket pushtetit në vetvete, ka njerëz që pushtetin e kanë qëllim, ka dhe të tjerë që e kanë mjet për të arritur qëllimin. Ata që e kanë qëllim, bëjnë shumë gabime sepse përdorin çdo mjet për të arritur qëllimin e tyre. Ndërsa ata që e kanë mjet atëherë njeriu gjykohet nga qëllimet që ai shpall.

Fevziu: Kush e ndan zoti Rama, kam përshtypjen se kundërshtarët tuaj mendojnë se ju e keni qëllim pushtetin dhe jo mjet. Cili është raporti që ju vendosni me të vërtetën në këtë rast?

Rama: Unë besoj që kundërshtarët janë në këtë rast burimi më pak i besueshëm, janë të investuar në të kundërtës. Për sa më takon mua pushteti është vetëm një mjet për të arritur ato qëllime që janë publike dhe pastaj unë si të gjithë ata që janë në këtë detyrë gjykohemi nga realizimi i tyre.

Fevziu: Ju keni jetuar 26 vite në një sistem totalitar dhe 30 vite në një sistem të lirë. Kur e keni pasur prekjen e parë, ose njohjen e parë me pushtetin?

Rama: Në rast se ke këtu ndjesinë e pushtetit të ushtruar, atëherë ajo është një ndjesinë që fillon nga momenti që ti ke në varësinë tënde mbi njerëzit e tjerë. Edhe ti ke pushtet të caktuar mbi një grup njerëzish tek skuadra që drejton dhe pastaj me ndryshimin e pozicionit dhe me rritjen e grupit të njerëzve që janë të lidhur me ty dhe ti ndikon tek ta me vendimmarrjen tënde, rritet dhe vetëdija që ka pushteti që ty të është dhënë apo të ka rënë ta administrosh.

Fevziu: Po raporti i parë jo i ushtrimit, por për përballjen me pushtetin, për rininë tuaj e kam fjalën. Keni qenë i tërhequr nga njerëzit politikë të kohës.

Rama: Me njerëzit politik jo, nuk kanë qenë në asnjë rast heronjtë e mi le të themi.