Eurostat thotë se inflacioni në vendin tonë rezulton pranë 5.6%, dmth, më i lartë se me metodën e Instat për muajin maj të këtij viti, që, për të njëjtën periudhë kohore, rezultonte pranë 4.7%. Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit për muajin maj rezulton kështu në rritje të ndjeshme krahasuar me muajin Prill, kur fiksohej pranë vetëm 5%. Inflacioni sipas Eurostat rezulton kështu të jetë thelluar edhe më shumë se ajo që tregonin shifrat e Instat, ndërkohë që të dy indekset janë në të njëjtën linjë sa i përket faktit se inflacioni ka rinisur trajektoren rritëse gjatë majit, pas muajsh me radhë në rënie. Ndikimin kryesor në rritjen e çmimeve me 5.6% në maj e ka dhënë grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike”, me 3.6 pikë përqindje, si dhe grupi “Hotele, kafene, restorante” dhe “Argëtim dhe kulturë” me rreth 0.6 pikë përqindje secila. Rritja më e madhe e çmimeve, prej 10.6% vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, ndjekur nga “Argëtim dhe kulturë” me 8.0%, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 6.2%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 4.4%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 4.2%, “Veshje dhe këpucë” me 4.1%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 3.9%, “Shëndeti” me 2.6%, “Shërbimi arsimor” me 2.5%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1.4%, si dhe “Komunikimi” me 1.1%. Nga krahu tjetër, në rënie rezultojnë çmimet e grupit “Transporti” me -4.7 %. Në terma mujorë ndërkohë, Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit sinjalizon se çmimet gjatë majit kanë rënë me 0.2% krahasuar me muajin prill. Sa i përket krahasimit me vendet e tjera të Europës, Shqipëria rezulton të ketë një normë inflacioni gjatë Majit më të ulët se mesatarja e unionit, që fiksohet pranë 7.1%. Por, pavarësisht kësaj, rritje e çmimeve në vendin tonë rezulton të jetë më e lartë se në vende si Greqia, Danimarka, Luksemburgu, Belgjika apo Zvicra, sa për të përmendur disa prej tyre. Kujtojmë se Indeksi i Çmimeve të konsumit, që është metoda e Instat dhe Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit, që është metoda e Eurostat ndryshojnë nga njëra tjera kryesisht nga pesha që zë secili grup në matjen e ecurisë së çmimeve, dhe këto dy ndryshime mes dy metologjive nuk janë të vogla. Grupi i “Qira, ujë. Lëndë djegëse dhe energji” zë thuajse 20% të “Indeksit të Çmimeve të Konsumit”, ndërsa sipas metodologjisë së Eurostat së vetëm 5.7%. Nga ana tjetër, grupi “Argëtim dhe kulturë”, si dhe “Hotele, kafene dhe restorante” ka ndjeshëm më shumë zë në metodën e Eurostat krahasuar me atë të INSTAT. Pikërisht ky ndryshim duket se ka sjellë ndryshimin e normës së inflacionit me thuajse 1 pikë përqindje, mes matjes sipas metodës së Instat dhe asaj të Eurostat.