Mbledhja e Këshillit Kombëtar të PD-së zgjati aq sa fjala e Lulzim Bashës.

Një fjalim i gjatë pa thelb, por që në fund përçoi mesazhin e qartë se ai dhe Edi Rama po shkonin drejt një pakti të ri, kur foli për ndryshime kushtetuese rrënjësore. Dhe për këto ndryshime, nuk vendosin as  intelektualët, studentët, pedagogët, sipërmarrësit, artistët, apo gazetarët, siç mëtoi ta sërvirë Lulzim Basha, por vetë kryeministri (i mandatit të tretë) Edi Rama me votat e deputetëve socialistë në Kuvend.

Pa votat e tyre asgjë s’ka kuptim në platformën politike që po synon Basha.

E reja e kësaj nisme politike (të paralajmëruar më herët) është se Basha e tha troç se nuk është më dakord me Berishën për ndryshimet kushtetuese të 2008-ës me argumentin se “ato nuk i përshtaten më nevojave të kohës”.

E vjetra mbetet Rama. Basha do të negociojë sërish me Edi Ramën ashtu si Berisha në vitin 2008.

Dhe për çfarë duhet të ofrojë Rama votat?

Për gabimet që mot a mot ka bërë vetë Lulzim Basha.

Ky i fundit (ashtu siç paralajmëroi) synon t’i fillojë ndryshimet kushtetuese nga ndarja territoriale, aty ku ai vete me dy këmbët nuk pranoi asnjë negociatë dhe bojkotoi gjithë procesin parlamentar kur reforma kaloi në Kuvend disa vite më parë.

Lulzim Basha zgjodhi gjithashtu pa rivalë edhe sekretariatin e ri dhe katër nënkryetarë. Fryu tej mase lidershipin dhe ngriti një Këshill të ri Kombëtar me 450 anëtarë që në fund të fundit do të shërbejnë thjesht për ngritje duarsh sa herë që Basha do tu servire një listë me vendimet e tij politike.

Këshilli i ri Kombëtar me statutin e ri nuk ka më rëndësinë e mëparshme

Lulzim Basha vulosi edhe të ardhmen politike të kandidatëve të tij rivale për postin e kryetarit që në thelb synonin në forma të ndryshme reformimin e partisë.

Ai ia kaloi listën sa për sy e faqe anëtarëve të Këshillit Kombëtar, por nuk nguroi të kujtonte terma të tipit ”jermi antiopozitar” kur foli për zëra kundërshtarësh në parti.

Në listën përfundimtare të kryesisë nuk kaloi Fatbardh Kadilli, deri dje anëtar kryesie, dhe as Agron Shehaj.

Lulzim Basha mënjanoi edhe pjesën radikale njëherazi ish-bashkëpunëtorë të ngushtë të Sali Berishës.

Edi Palokën e kaloi në një pozicion honorifik, me pak fjalë e kaloi në pension politik duke e çuar në krye të Këshillit Kombëtar një pozicion i shpikur këtu e katër vjet me parë për ish-Presidentin e Republikës, Bujar Nishani, për të cilin Berisha i kish lënë porosi t’i gjente një vend të rehatshëm në parti.

Lulzim Basha do të bashkëpunojë me bashkëpunëtorë të Sali Berishës, por asnjë prej tyre nuk njihet si mbështetës i flaktë i këtij të fundit.

Ata i “degdisi” nëpër komisione parlamentare, por jo me detyra partiake

Albana Vokshit nuk i dha detyrë sekretari, por e çoi si kandidaturë për të kryesuar një komision parlamentar.

Flamur Noka gjithashtu u propozua si kandidat në drejtimin e një komisioni parlamentar, por jo në parti.

Në kryesi nuk u përfshi bashkëpunetori tjetër i Berishës, Tritan Shehu i cili sot e kësaj dite nuk e lë vetëm në asnjë dalje publike.

Nuk u përfshi në kryesinë e re as Xhelal Mziu ish-kryetar i Bashkisë së Kamzës. Dhe nuk u propozua fare si kandidat nga Basha për kryesinë  Bujar Leskaj që drejtoi zgjedhjet për PD-në qarkun e Vlorës.

As dhëndri i Berishës Jamarbër Malltëzi nuk mundi të kalojë në listën e 10 kandidatëve më të votuar.

Ai që mbeti është vetëm Sali Berisha.

Një sinjal ky ndoshta për vetë Berishën dhe mënyrën se si strukturat e ngritura nga Basha po e konceptojnë të ardhmen e tij politike. Ose një manovër e njohur e Lulzim Bashës për të mos ndarë “shapin nga sheqeri”, por duke mbetur gjithnjë në mes e duke lënë gjithnjë vend për interpretime politike në favor të njerës palë të interesuar apo tjetrës sa herë që flitet për marrëdhënien e tij me Berishën

Ndërkohë, Lulzim Basha përcolli një mesazh për aleancat politike që do të ketë në të ardhmen.

Në asnjë fjalë të fjalimit të tij të gjatë, ai nuk përmendi LSI-në, partinë më të cilën firmosi një marrëveshje parazgjedhore gjithë pompozitet me Monika Kryemadhin.

Basha i ndau vetë detyrat që i takojnë opozitës sa i përket vendeve për kryesim në komisionet e ardhshme parlamentare, pa lënë asnjë vend për LSI-në

Fundja, synimi i tij politik është gjetkë…tek pala kundërshtare./SI