Ka nisur në Kuvendin e Shqipërisë seanca plenare ku pritet të diskutohen e më tej të miratohen ndryshimet në kodin zgjedhor.

Ndryshimet e propozuara nga socialistet janë kundërshtuar si nga opozita jashtë parlamentit, ashtu dhe nga ajo brenda parlamentit.

Në fjalën e tij në nisje të seancës, kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi u bëri thirrje deputetëve që të votonin me unanimitet ndryshimet në kodin zgjedhor.

Z. Ruçi tha se mazhoranca gjatë gjithë kohës së diskutimeve është treguar dorështrirë dhe e hapur për të negociuar lidhur me kodin zgjedhor, ndërsa nënvijëzoi se seanca sotme i dedikohet plotësisht zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

“Nuk ka qenë e lehtë të arrinim deri këtu, disa herë për mjaft çështje diferencat mes projekteve të opozitës parlamentare dhe jashtë parlamentare ishin më të mëdha se mes shumicës. Ne as prisnin dhe as kemi insistuar të kemi konsensus për gjithçka.

Ligjet dhe vendimet që do të miratojmë sot janë rezultat i një procesi politik real, që mbështetet në kushtetutë.

Në këtë proces, pozita parlamentare nuk treguar triumfatore po si një shumicë dorështrirë që në disa raste e vendoi me vetëdije veten në pozitën e negociatorit, madje edhe të opozitës”, tha kryeparlamentari.

Ndërkohë, burime për Euronews Albania bëjë me dije se pak pas nisjes së seancës plenare ka përfunduar mbledhja e grupit parlamentar socialist.

Në mbledhje është kërkuar që te mos ketë mungesa në seancë dhe ndryshimet në kod zgjedhor të mbështeten me votë. Po ashtu, është kërkuar që të votohet lista e dakordësuar për anëtarët e KQZ-së.

Pritet që Ilirjan Celibashi të marrë postin e kryekomisionerit.