Reflektime

Nga Anna Tena
______

Ndjehemi shumë të lodhur shpirtërisht! Të rraskapitur dhe pa asnjë të ardhme. Të sfilitur dhe të vetmuar, më të vuajturit. Në gjithë këto vite jemi të vetmit që asnjëherë nuk kemi për të qenë asnjë ditë të lumtur.
Ne, emigrantët e Greqisë jemi qytetarët më të përbuzur në këtë vend.
E megjithatë, sa herë kthehem nga Shqipëria ndjehem sikur këtu kthehem në një vend të sigurtë.
E kam menduar shpesh me veten time. Ndoshta është sindroma e post 97- s së zezë kjo. Ikëm nga zjarri dhe plumbi. Por, nuk është vetëm kjo. Ne këtu e dinim që nuk vinim në një vend mik. Seriozisht, ma merr mendja se askush nuk ka ardhur këtu me dëshirë, ndërsa kudo tjetër ka shkuar më me dëshirë.
Dhe prapë nuk është vetëm kjo.
Dhimbjen më të madhe nuk na e shkaktojnë këta.
Dhimbjen më të madhe na e shkakton braktisja dhe përbuzja e tanëve. Shteti ynë nuk na ka llogaritur kurrë ndërsa qytetarët në Shqipëri na shohin edhe ata si qytetarë të dorës së dytë.
Posi!
E megjithatë, unë ju them se në lëkurën tonë gjithçka është shkruar.
Përfundimisht vuajtjet të rrisin e të bëjnë më të vëmendshëm, shpesh më të dhëmbshur.
Fëmijët tanë nuk dinë shumicën e sekreteve tona. Ata nuk do të marrin kurrë vesh se ne ishim më të përbuzurit, por ata dinë që ne ishim më të fortët, më të duruarit, më të mirët njerëz. Ne ishim ata që kafshuam çdo ditë dhimbjen tonë duke e detyruar atë të heshtë.
Unë nuk kam asgjë me këta. Këta kështu duan, kështu sillen. Fundja janë në shtëpinë e tyre.
Unë ju drejtohem tanëve.
Ne nuk jemi të huaj. Ne jemi shqiptarë në dhe të huaj, por jemi shqiptarët tuaj.
Sidoqoftë, sa më shumë rritem aq më pak zemërohem me botën.

_____