Si mikpritës i Samitit të Procesit të Berlinit, kancelari Olaf Scholz e ka hapur fjalimin e tij me premtimin se 6 vendet e Ballkanit Perëndimor e meritojnë të anëtarësohen në familjen europiane dhe kjo gjë është në interesin e vetë rajonit.

“6 vendet e Ballkanit i përkasin Evropës së lirë dhe anëtarësimi i tyre në BE është në interesin tonë. Premtimi për të ardhmen evropiane për Ballkanin Perëndimor është puna jonë për ta kthyer në realitet dhe kjo na ka bërë bashkë sot”, tha Scholz.

Gjatë fjalës së tij kancelari gjerman u ndal dhe tek bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, ku përsëriti edhe njëherë qëndrimin se duhet të përshpejtohet procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Është koha për të tejkaluar konfliktet rajonale që ju ndajnë e ju mbajnë të përçarë në rrugëtimin evropian. Procesi i normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përshpejtohet në mënyrë që të prodhojë rezultate”, u shpreh Scholz.

Kancelari shtoi se Procesi i Berlinit nuk do të ketë për detyrë vetëm të çliroj gjithë potencialin e bashkëpunimit, por të përshpejtoj edhe integrimin evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit.

“Sot po bëni hapa madhor duke nënshkruar 3 marrëveshje të rëndësishme. Tregu i përbashkët rajonal do të nxisë ekonominë dhe investimet në rajon. Marrëveshjet do t’iu mundësojnë qytetarëve tuaj që të lëvizin vetëm me letërnjoftime dhe do të sigurohemi që studentët nga Sarajeva të plotësojnë studimet e tyre në Beograd, apo arkitektët nga Tirana të marrin një vend pune në Shkup”, përfundoi Scholz.