Senati amerikan konfirmoi unanimisht ish-diplomatin William Burns si kreun e CIA-s.

Burns, 64 vjeç, i cili ka shërbyer si në administratën demokratike ashtu edhe në atë republikane, është diplomati i parë i karrierës që drejton CIA.

Në vitet e mëparshme, Senati konfirmoi kandidaturat e tij për ambasador në Jordani dhe Rusi dhe për tre poste të larta në Departamentin e Shtetit.

Gjatë një seance dëgjimore para Komitetit të Inteligjencës së Senatit Amerikan muajin e kaluar, Burns përshkroi katër përparësitë e tij kryesore – njerëzit, partneritetet, Kina dhe teknologjia.

Ai e quajti Kinën një “rival të madh, autoritar” që forcon aftësinë e saj për të vjedhur pronën intelektuale, për të shtypur qytetarët e saj dhe për të përhapur ndikimin brenda Shteteve të Bashkuara.

Konkurrimi me Kinën është një nga përparësitë kryesore të administratës së Biden dhe anëtarëve të Kongresit, të cilët dëshirojnë të mbajnë një qëndrim më të ashpër ndaj Pekinit.

Komiteti gjithashtu mbështeti unanimisht emërimin e Burns. Senati gjithashtu konfirmoi një nga këshilltarët e politikës së jashtme të Biden, Brian McKeon, si Zv.Sekretar i Shtetit për qeverisjen dhe burimet.