Qeveria e SHBA-së do të emërojë Këshilltarin e Përhershëm Ligjor (RLA) për të rritur kapacitetin për hetime, ndjekje penale dhe gjykime në rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjithë Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë Malin e Zi, Shqipërinë, Bosnje Hercegovinë, Kroacinë, Maqedoninë Veriore, Serbinë dhe Kosovën, raporton Kosova Press.

Këshilltari do të veprojë nga Zagrebi dhe ndihma do të fokusohet kryesisht në mashtrimin e prokurimeve publike, korrupsionin, pastrimin e parave, krimin e organizuar, dhunën me bazë gjinore dhe trafikimin e qenieve njerëzore.

Siç theksohet, Këshilltari i Përhershëm Ligjor do të caktohet në Ambasadën Amerikane në Zagreb dhe do të punojë në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Drejtësisë së Kroacisë.

“RLA do të përfaqësojë Ministrinë e Drejtësisë dhe OPDAT në zbatimin e aktiviteteve të asistencës teknike të financuara nga Byroja Ndërkombëtare e Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit të Departamentit të Shtetit, për të rritur kapacitetin për të hetuar dhe për të ndjekur penalisht rastet që përfshijnë korrupsionin dhe krimin e organizuar në të gjithë Ballkanin Perëndimor, përfshirë Malin e Zi , Shqipërinë, BeH, Kroacinë, Kosovën, Maqedoninë Veriore dhe Serbinë. Ky është një program rajonal”, thuhet në njoftimin publik.

Ndihma do të fokusohet, por nuk kufizohet, në mashtrimin e prokurimeve, korrupsionin, pastrimin e parave, krimin e organizuar, FinTech, dhunën me bazë gjinore dhe trafikimin e qenieve njerëzore.

Kjo do të përfshijë asistencë teknike, mentorim dhe këshilla për hetimet, ndjekjet penale, si dhe vendimet e rasteve. Do të përfshijë gjithashtu analiza dhe këshilla për ligjet ekzistuese ose në pritje. RLA do të koordinojë dhe bashkëpunojë ngushtë me këshilltarët e tjerë të caktuar në vende të ndryshme të Ballkanit. RLA gjithashtu do të punojë ngushtë me stafin e Ambasadave Amerikane në vende të ndryshme të Ballkanit, thuhet në njoftimin e Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së.

Sqarohet se misioni i Zyrës për Zhvillim, Asistencë dhe Trajnim të Prokurorive Jashtë vendit (OPDAT) është zhvillimi dhe administrimi i asistencës teknike dhe zhvillimore të krijuar për të rritur kapacitetet e institucioneve të sektorit të drejtësisë dhe stafit të tyre për zbatimin e ligjit.

Kjo ndihmë ofrohet për të mundësuar që këto institucione dhe stafi i tyre të luftojnë në mënyrë më efektive terrorizmin, krimin e organizuar ndërkombëtar, korrupsionin, krimin financiar dhe krime të tjera.