Inteligjenca amerikane dhe britanike janë gjithnjë e më shumë të bindur se Vladimir Putin po konsideron veprime ushtarake për të marrë kontrollin e një pjese më të madhe të Ukrainës dhe për të destabilizuar vendin duke nxitur një qeveri më pro-Moskës.

New York Times shkruan që amerikanët 007 po paralajmërojnë aleatët se ka një mundësi të vogël për të parandaluar një veprim të tillë, duke i shtyrë vendet evropiane të punojnë me SHBA-në për të zhvilluar një paketë sanksionesh ekonomike dhe masash ushtarake për të frenuar Kremlinin.

Sipas burimeve amerikane dhe evropiane të NYT, inteligjenca amerikane u tha aleatëve se Putini është gjithnjë e më i frustruar nga procesi i paqes i rënë dakord me Francën dhe Gjermaninë pas aneksimit të Krimesë dhe mbështetja për kryengritjen separatiste në Donbas.

Putini, i cili vazhdon të grumbullojë trupa në kufirin me vendin fqinj, mund të jetë i gatshëm të sigurojë një rrugë tokësore midis Ukrainës lindore dhe Krimesë.

Analistët amerikanë besojnë se lideri i Kremlinit i sheh muajt e ardhshëm si një moment unik për të vepruar, duke përfituar nga dalja nga skena politike e kancelares Angela Merkel dhe rritja e çmimeve të energjisë, të cilat mund të kufizojnë mbështetjen e Evropës, kryesisht e varur nga furnizimet ruse, me ndëshkime të ashpra.