Kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka akuzuar presidentin Ilir Meta si asetin më të madh të kryeministrit Rama në dy javët e fundit para zgjedhjeve të 25 prillit.

Ai tha se PD-ja e ka mbështetur Presidentin Meta si institucion, por jo si individ, pasi ai me qëndrimet e tij ka çuar ujë në mullirin e Ramës dhe ka shkatërruar fushatën e LSI-së.

“Jo, nuk ka qenë presidenti Meta i përfshirë në trekëndëshin e Bermudës. Ndaj presidentit dhe qëndrimeve të tij të drejta në raport me kushtetutën ne kemi mbajtur qëndrime të qarta mbështetëse, madje më shumë se LSI-ja. Ka qenë Ilir Meta pjesë, personi Ilir Meta, i cili nëse më pyesni, dy javët e fundit të fushatës ka qenë aseti më i madh i Edi Ramës, shkatërruesi i fushatës në bindjen time, të LSI-së në veçanti në disa zona elektorale nga Vlora në Elbasan dhe në veçanti në javët e fundit me qëndrimet e tij, ka çuar ujë tek mulliri i Edi Ramës. Pra, kur përmend trekëndëshin e Bermudës, përmend personin Ilir Meta, politikanin Ilir Meta dhe jo institucionin e presidentit të cilit i kemi dalë në krah sa herë ka qenë në krah të kushtetutës. Por, përsa i përket pjesës tjetër mund të flasim gjatë.” – tha Basha për Zërin e Amerikës.