Një grup senatorësh amerikanë, nga të dy partitë, paraqitën një projektligj që synon të mbështesë zhvillimin ekonomik,  si dhe të luftojë korrupsionin, përfshirë hartimin e një legjislacioni të posaçëm për sanksionet, për të frenuar aktivitetet destabilizuese në Ballkanin Perëndimor.

Projektligji shkruan Zëri i Amerikës, i njohur ndryshe si Akti mbi Demokracinë dhe Prosperitetin në Ballkanin Perëndimor është paraqitur nga senatorja demokrate Jeanne Shaheen dhe senatori republikan Roger Wicker.

Iniciativa vjen mes shqetësimesh të rritura në rajon për shkak të luftës në Ukrainë. Senatorja Shaheen shprehet se marrëdhëniet e Uashingtonit me Ballkanin Perëndimor janë thelbësore në këto momente, ku duken qartë synimet e Presidentit Putin për të përhapur ndikimin keqdashës në të gjithë Evropën Lindore.

Projektligji udhëzon Sekretarin e Shtetit të ofrojë ndihmë teknike për çdo vend të Ballkanit Perëndimor për të zhvilluar një strategji kombëtare kundër korrupsionit.

Ai parashikon gjithashtu kthimin në ligj të dy urdhra ekzekutivë, që do të garantonin kompetenca për sanksione kundër atyre që kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe që janë të përfshirë në akte korruptive.

Senatorja Shaheen ishte në krye të një grupi senatorësh amerikanë që vizituan në muajin prill Kosovën, Serbinë e Bosnje e Hercegovinën, mes shqetësimeve rreth ndikimit të konfliktit në Ukrainë, në Ballkanin Perëndimor. Senatorët amerikanë e shohin projektligjin si një mundësi për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes SHBA-ve dhe Ballkanit Perëndimor, zgjerimin e mundësive ekonomike si dhe mbështetje për përpjekjet për të çuar përpara demokracinë dhe çrrënjosur korrupsionin.